English

Flamuri i Kosovës në “Time’s Square”

Manhatan, 18 shkurt, NOA - Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku gjatë qëndrimit në Nju Jork të SHBA-ve ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit të Republikës së Kosovës në “Time’s Square”, me rastin e ditës së pavarësisë së Kosovës. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe nënkryetari i Manhatanit, i cili së bashku me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar festoi 3 vjetorin e pavarësisë. Në këtë rast, Çitaku ka mbajtur një fjalim rasti për këtë ditë të rëndësishme dhe i shprehu falënderimet e sinqerta për rolin e popullit të SHBA-së në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në SHBA, zv.ministrja Çitaku, ka vazhduar takimet me përfaqësuesit e vendeve të Amerikës Latine si dhe të lindjes së Mesme ku ka marrë premtime për njohje ditëve dhe javëve të ardhshme.

Ajo gjithashtu, ka mbajtur një ligjëratë në universitetin “New School” tё Nju Jork-ut para studentëve dhe ligjëruesve të këtij fakulteti ku ka potencuar kontestin historik, politik dhe juridik tё pavarësisë së Kosovës.

Gjatë ligjëratës, Çitaku iu është përgjigjur pyetjeve të shumta të studentëve të këtij universiteti të cilët dëshironin të dinin më shumë për pozicionin e shtetit më të ri në botë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ndërkaq dje më 17 shkurt është mbajtur edhe një ceremoni post-mortore për nder të diplomatit amerikan Richard Holbrook në OKB dhe në zyrat e misionit të SHBA-ve në OKB.

Zv.ministrja Çitaku, me ftesë të familjes Holbrook, ka marrë pjesë në këto dy ceremoni dhe ka falënderuar familjen e diplomatit si dhe zyrtarët e lartë amerikan për rolin e rëndësishëm të luajtur nga Holbrook si përfaqësues i politikës amerikane në ditë më të vështira të popullit të Kosovës gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në margjina të këtyre ceremonive, zv.ministrja Çitaku është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së z. Ban Ki Mun, me z. Bernard Kushner, senatorin Jon Kerry kryetar i komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senatin e SHBA-ve, etj.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku ka udhëtuar për në Uashington ku do të marrë pjesë në organizmin zyrtar të Ambasadës së Republikës së Kosovës në SHBA për nder të festës së pavarësisë. Në këtë organizim solemn janë ftuar diplomatë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadorë të shteteve tjera në SHBA.

Bëhet e ditur se Çitaku dhe zëvendës ndihmës-sekretari i Shtetit për Evropë, Tomas Kantrimen do të mbajnë nga një fjalë rasti në këtë ceremoni.

NOA

KOMENTE