English

Në pritje të demonstratës, policia rrethon Kryeministrinë e Kryesinë e Kuvendit

Tiranë, 18 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që është në përgatitjet e fundit nisja e demonstratës së opozitës, e cila është paralajmëruar të nisë në orën 16.00, forca të shumta të Policisë së Shtetit janë vënë në gatishmëri të plotë duke rrethuar godinën e kryeministrisë dhe Kryesinë e Kuvendit. Edhe qarkullimi i automjeteve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” është bllokuar që nga Ura e madhe e Lanës deri tek hyrja për në Kryesinë e Kuvendit duke bërë që në sheshin përpara institucioneve të larta të mbizotërojnë vetëm përgatitjet për demonstratën e opozitës, të mbikëqyrura nga uniformat blu.

Në këto momente është vendosur edhe podiumi ku shefi i opozitës Edi Rama dhe krerët e saj do të mbajnë fjalimet e tyre përballë demonstruesve, një podium i vendosur dhjetë metra larg portës hyrëse të godinës së kryeministrisë.

Përgatitjet për këtë demonstratë, e cila sipas gjasave mund të zgjasë për disa orë janë tërësisht të dukshme, pasi edhe qendrat e zërit janë vendosur si në afërsi të kryeministrisë dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e kombit” deri afër Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë katër banderola të mëdha me ngjyrë të kuqe ku janë shënuar emrat e katër demonstruesve të vrarë me armë në 21 janarit, e përkatësisht emrat e Ziver Veizit, Faik Myrtos, Hekuran Dedës dhe të katërtit demonstrues të qëlluar Aleks Nikaj, i cili ndërroi jetë dy javë pas demonstratës në dyluftim me vdekjen janë planifikuar të hapen në nisje të protestës së opozitës, ku do të marrin pjesë mbështetës të opozitës nga qytete të ndryshme të vendit.

Sipas itinerarit të përcaktuar marshimi i demonstruesve do të nisë nga kryqëzimi “Zogu i Zi” drejt “Rrugës së Durrësit” dhe grumbullimi i demonstruesve do të bëhet në tri pika qendrore, veç “Rrugës së Durrësit”, tek Stacioni i Trenit, më pas në bulevardin “ Zogu I”; para Fakultetit Filologjik, për të marshuar më pas në rrugën e Elbasanit si dhe pranë 21 Dhjetorit, për të marshuar më pas drejt Rrugës së Kavajës.

Demonstruesit sipas PS-së do të bashkohen në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar të gjithë bashkë drejt bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku pika kyçe e demonstratës do të jetë pikërisht sheshi përballë kryeministrisë, aty ku u vranë edhe katër demonstruesit e 21 janarit.

Fjalimi përmbyllës i protestës do të jetë ai i Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama.

mit/NOA

KOMENTE