English

Berisha: Ora e lirisë nuk mund të ndalet nga bijtë e të përmbysurve

Tiranë, 20 shkurt 2011, NOA - Kryeministri Sali Berisha e cilësoi sot 20 shkurtin e vitit 1991, ditën kur qytetarët shqiptarë rrëzuan nga piedestali në qendër të Tiranës shtatoren e diktatorit komunist Enver Hoxha, si ditën e ngadhënjimit të lirive dhe dinjitetit njerëzor, mbi shtypjen e egër, poshtërimin e pamerituar. Shefi i mazhorancës në pushtet Berisha duke festuar bashkë me mijëra qytetarë 20-vjetorin e përmbysjes së diktaturës në Shqipëri, tha përballë mbështetësve të tij se kjo ditë është ngadhënjimi i shpresës dhe besimit mbi dëshpërimin e thellë, mbi të shkuarën e hidhur, të keqen më të madhe, që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre kombëtare.

Gjatë koncertit festiv për 20- vjetorin e përmbysjes së regjimit totalitar, që u simbolizua me rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha nga qytetarët e Tiranës, shefi i ekzekutivit iu drejtua mijëra qytetarëve të pranishëm në sheshin “Nënë Tereza” duke u thënë se “jemi mbledhur të festojmë ditën e kurajës dhe lirive të mëdha qytetare.

Më tej lexoni fjalën e plotë të kryeministrit Berisha mbajtur sot në koncertin për rrëzimin e regjimit diktatorial:

Jemi mbledhur sot, në këtë shesh të festojmë së bashku, një nga ngjarjet me të rëndësishme, në historinë e lirisë dhe të dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, 20 shkurtin, ditën e përmbysjes së bllokut bunker komunist, ditën e përmbysjes së shtatores së diktatorit Enver Hoxha, si dhe ditën kombëtare të kujtesës së martirëve dhe viktimave të sistemit barbar komunist.

Gëzuar 20 shkurtin, ditën e kurajës, trimërisë, guximit, lirive të mëdha qytetare!

Sot, këtë ditë e festojnë mbarë shqiptarët, të cilët tek 20 shkurti shohin ditën e ngadhënjimit të lirive dhe dinjitet e të tyre njerëzor, mbi shtypjen e egër, poshtërimin e pamerituar, ngadhënjimin e shpresës dhe besimit mbi dëshpërimin e thellë, të shkuarën e hidhur, të keqen më të madhe, që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre kombëtare.

20 vjet më parë, studentët liberatorë të universitetit të Tiranës do të ngujoheshin në grevën epike të urisë, në grevën vendimtare të lirisë, për heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha, universitetit në të cilin ata studionin. Njëlloj si në dhjetorin e vitit’ 90, në mbrojtje, në mbështetje të tyre do të vërshonte Tirana dhe mbarë Shqipëria.

Studentë, studente, burra dhe gra që në vitin 1991 përmbysën bllokun dhe shtatoren e diktatorit që për gjysëm shekulli mbolli terror, shkatërrim vdekje, kanë 20 shkurtin ditën e lirisë së tyre sublime, ditën e ngadhënjimit, guximit, trimërisë së tyre, mbi terrorin, dhunën, tanket, skuadrat e pushkatimit, të diktaturës më të egër , më çnjerëzore që Evropa ka njohur.

20 shkurti është një datë që përmbysi bustin e diktatorit është vendimi i jetës së tyre, me të cilën ata bënë të lirë veten e tyre, familjen, ditën në të cilën Partia Demokratike, opozita shqiptare më e re e asaj kohe do të organizonte dhe do të shënonte një nga fitoret më të mëdha, në tërë historinë e kombit dhe do të shndërrohej në një nga forcat më të fuqishme antikomuniste, në Evropë.

Nderim të madh studentëve të lirisë, atyre qindra dhe mijëra qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që përmbysën më 20 shkurt bllokun bunker të regjimit diktatorial, shtatoren e Enver Hoxhës, Hitlerit të Shqiptarëve.

Nder veprës së tyre!

Të dashur qytetarë dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,

Sot, në Shqipëri dhe në mbarë kombin shqiptar janë miliona të rinj fatlumë, të cilët nuk e kanë përjetuar këtë ditë dhe këtë datë, nuk e kanë njohur kalvarin skllavërues të regjimit të bllokmenëve primitive. Ata janë me të vërtetë fatlumë, por më fatlumë jemi ne është kombi ynë me gjeneratën e tij të lirisë.

Unë ju bëj thirrje atyre, në emër të virtyteve dhe vlerave njerëzore, në emër të sakrificave, dhimbjeve, të prindërve dhe kombit të tyre, ju bëj thirrje shqiptarëve të nderojnë këtë ditë, si dita e kurajës njerëzore, të mos harrohet kurrë se liritë tona, dinjiteti ynë, çelën errësirën, shkallmuan bllokun bunker, të regjimit barbar që kishte zhytur Shqipërinë, në izolimin më të thellë, mjerimin më ekstrem, shtypjen më çnjerëzore,persekutimin, torturat, ekzekutimet, kampet e përqendrimit, gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, disa herë më të mëdha se ato të të gjitha klikave komuniste të mara së bashku.

Prandaj dhe kjo ditë është dhe do të mbetet në memorien tonë si dita kombëtare e kujtesës së martirëve dhe viktimave të sistemit komunist.

Në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tij, në gijotinën e kasaphanës së luftës së klasave që lideri i shqiptarëve dhe bllokmenët ngritën për të mbajtur pushtetin e tyre, u morën qindra dhe mijëra jetë të pafajshme njerëzore, u përpinë shekuj dhe shekuj, mijëvjeçarë dhe mijëvjeçarë, vitesh lirie dhe rini të vjedhura të njerëzve, vetëm e vetëm se ata guxonin ti luteshin zotit, të rronin, të jetonin dhe lëviznin të lirë, në Shqipërinë e lirë. Ata donin të këndonin këngën e lirisë, në vendin ku besimi tek zoti, liritë e dhe të drejtat e individit, thirrjet e natyrshme perëndimore, të qytetarit shqiptar dënoheshin deri me vdekje. Diktatori paranojak i shqiptarëve, bllokmenët e tij me hiperkolektivizmin total skllavërues, urinë, dënimin, vuajtje të shkaktuara prej tyre, shuajtën dhe morën qindra dhe mijëra jetë, që nga foshnjat e sapolindura, e deri tek qytetarët të gjitha moshave.

Nder për jetë të gjithë atyre që flijuan jetën dhe rininë e tyre, për dinjitetin dhe liritë që ne gëzojmë sot!

Ju ftoj ju të nderojmë së bashku me një minutë heshtje viktimat e regjimit barbar komunist.

I përjetshëm do të mbetet kujtimi i tyre!

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,

Përmbysja e bllokut dhe shtatores së Enver Hoxhës më 20 shkurt të viti 1991, do të shënonte “de fakto”, përmbysjen e tiranisë hoxhiste në Shqipëri. Por sërish ajo në grahmat e fundit të saj u vërsul në ato ditë shkurti me tanke, blinda e mitraloza, në rrugët e Tiranës dhe në mbarë Shqipërinë dhe ekzekutoi pa gjyq në rrugët e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të vendit, me dhjetëra e dhjetëra të rinj. Mirëpo as terrori, as dhuna e shkurtit të viti 1991, e klikës Alia- Ruçi nuk do ti vyshkëte kurrë lulet e 20 shkurtit. Ato lule të shpresës, do të lulëzonin, fushave, kodrave e maleve të Shqipërisë. Flladi dhe erërat e ngrohta të lirisë do të shkrinin njëherë e përgjithmonë ngricën e frikës dhe terrorit në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve për të mos u kthyer kurrë më mbrapa.

Ne jemi djemtë dhe vajzat , burrat dhe gratë e lirisë, të vendosur dhe të betuar që të mos lejojmë kurrë që e shkuara të kthehet për të penguar të ardhmen tonë. Gabuan dhe dështuan rëndë ata që e provuan. I këshillojmë që të mos e provojnë më. Liria është pasioni ynë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Këto 20 vite nuk kanë qene të lehta për ne. Ato që ju përjetuat, vështirësitë, dhimbjet e sakrificat, diktatura hoxhiste shkatërroi Shqipërinë, më shumë se çe kishte shkatërruar, çdo luftë, çdo epidemi, apo çdo fatkeqësi, ndonjë vend tjetër të planetit.

Më 20 shkurt të vitit 1991, ne ishim kombi më i shtypur në Evropë dhe një ndër dy apo tre kombet më të shtypura në botë. Ne ishim kombi më i varfër në Evropë, dhe një ndër tre apo katër kombet më të varfra në planetin tonë. Ne ishim kombi dhe vendi që kishim përjetuar pushtime shekullore, copëtime dramatike, racizma të egra, diktatura barbare.Në vitin 90 ne ishim vendi i lirive dhe të drejtave të ndaluara me kushtetutë, vendi që pas rënies së murit të Berlinit, zvarriste në rrugët e qyteteve tona dhjetëra e dhjetëra të rinj që synon lirinë.

Zonja dhe zotërinj,

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,

Sot, Këtë ditë, në këtë shesh ne duhet të gëzojmë. Asnjë komb tjetër, në rrugën e lirisë nuk ka ecur më shpejt se sa ne shqiptarët në dy dekadat e fundit. Sot ne jemi vendi i lirive dhe të drejtave të garantuara me kushtetutë, lirisë së besimit dhe tolerancës së shkelqyer fetare, lirisë së mendimit dhe të shprehjes së tij. Sot jemi vendi i votës së lirë, i zgjedhjeve të lira, vendi i shtetit ligjor, i demokracisë që funksionon. Sistemi i demokracisë, sistemi i vlerave më të mira njerëzore, është vepra, është kryevepra e jetës sonë.

Qytetarë dhe qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,

Bllokmenët, ashtu si 20 vjet më parë, kur çdo ditë, çdo orë, çdo javë flisnin për popullin dhe në emër të tij, sot pas njëzet vitesh njëlloj si etërit, pinjollët e tyre, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, qindra dhe mijëra herë flasin për popullin dhe ne emër të tij. Ata mjeranë, nuk e kuptuan as dje dhe nuk kuptojnë as sot se populli shqiptar nuk ka folur kurrë me zërin e tyre, se qytetarët e lirë, se populli I lirë flet dhe do të flasë me zërin e tij të lirë.

20 vite pas përmbysjes së diktaturës, më 21 janar të vitit 2011, bijtë e etërve që u përmbysën më 20 shkurt të vitit 1991, do të ishin të vetmit në Evropën e pasluftës që u sulën me gurë, drurë, zjarr e eksploziv për të përmbysur qeverinë legjitime të Shqipërisë dhe dështuan. Edhe njëherë 21 janari ju mësoi ju, se vota e lirë e qytetarëve është më e fortë se çdo gurë, se çdo dru, se çdo armë.

Bij të etërve hoxhistë, pushtet dhe dhunë nuk do të merrni kurrë në këtë tokë. Liria është pasioni ynë.

Qytetarë dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Ne që përmbysëm murin e Berlinit në Tiranë, që shembën bllokun bunker të regjimit barbar dhe hapëm dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët, jemi sot me krenarë dhe me besim më të madhe se kurrë tek liria, forca e saj e fuqishme. Ne ju themi bllokmenëve të rinj se liria nuk është vetëm pasioni ynë, por është forca e kushtetutës së këtij vendi të lirë, forca e institucioneve të këtij vendi të lirë. Ne jemi dhe do të mbetemi përjetë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, e botës së lirë. Me ne, shqiptarët do të votojnë gjithmonë të lirë. 8 maji është prova jonë e re ndaj lirisë.

Të dashur qytetarë qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Ne që 20 vjet më parë fshimë nga harta bllokun bunker dhe bustet e gjalla, shtatoren e tiranit, Shqipërinë vendin më të izoluar të planetit, me reforma të thella dhe të gjithanshme e anëtarësuam në Aleancën më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur, aleancën e atlantikut të Veriut.

Zoti e bekoftë NATON dhe vendet e saj anëtare!

Duke anëtarësuar Shqipërinë në NATO, ne shndërruam në realitet ëndërrën shekullore të shqiptarëve për të jetuar të sigurtë, në këtë vend, në paqe , në liri, të ardhmen e tyre. Në këtë rrugë ne nuk u ndalëm dhe nuk u dekurajuam as nga rezoluta antinato e PPSH me emër të ri dhe as nga mitingjet antinato të bllokmenëve të rinj. “Shqipëria në NATO “ ishte premtimi i madh i jetës sonë. “Shqipëria në NATO” është vepër e besimit tonë tek liria.

Bllokmenët e rinj njësoj si etërit e tyre që etiketonin qindra e qindra, herë në ditë, si imperialiste, qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s, sot ata etiketojnë qeverinë tuaj, qeverinë e vendit anëtar të NATO-s si qeveri fashiste, qeveri që duhet përmbysur.

Ne u themi nga kjo tribunë pinjollëve të bllokut se njëherë e provuat më 21 janar, dhe mos guxoni më kurrë ta provoni se kjo qeveri legjitime, rendi kushtetues i një vendi anëtar të NATO-s nuk mund të përmbyset kurrë me dhunë. Institucionet kushtetuese të një vendi të lirë janë kështjellat e lirisë. Mjerë ata që guxojnë ti prekin ato.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,

Shqipëria 20 vjet më parë ishte vendi i kloneve, i telave me gjemba dhe lëvizjes së ndaluar. Ne sot së bashku ia dolëm të realizojmë ëndërrën tuaj më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën e rilindësve tanë, heqjen e vizave, lëvizjen e lirë, të qytetarëve në mbarë Evropën.

Sot, pas 20 vitesh, bijtë e atyre që firmosën varjen e disidentëve shqiptarë, në sheshet e qyteteve tona apo që ekzekutuan në kufij të rinj shqiptarë, vitin e kaluar ndërmorën fushatën e turpit, bënë gjithçka për të futur vizat tuaja, në kutitë e tyre turpit, por dështuan. Sot, ju lëvizni të lirë, jeni më të lirë se kurrë në jetën tuaj. Ne mbajtëm premtimin tjeter të madhe të jetës sonë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,

20 vjet më parë , Shqipëria ishte vendi I tretë më i varfër i planetit me rrogë, mesatare, 5 deri në 7 dollar në muaj. Sot, shqiptarët kanë një rrogë mesatare prej rreth 500 dollarësh. Sot, Shqipëria renditet në vendin e 87 si vendi më i mirë, për të jetuar për qytetarët e saj. Vendi, i cili 20 vjet më parë kishte pothuaj infrastrukturën primitive, po ndërton sot, një nga rrjetet rrugore më moderne në Evropë. Vendi i cili pak vite më parë nuk njihte internetin dhe teknologjinë e lartë ka kapur sot mesataren evropiane në moshën dixhitale. Vendi,i cili vetëm pak vite më parë nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, u përcaktua këtë vit si destinacioni kryesor turistik i planetit, si “E bukura e dheut”.

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Së bashku nga ky shesh, le të ftojmë të gjithë shqiptarët këtë ditë të madhe tu shtrojnë një pyetje, pinjollëve të bllokut që u përmbysën 20 vjet më parë; në emër të të cilave interesave qytetare, shoqërore apo kombëtare futën buritë e boritë e bilbilat në parlament, kur vendi firmoste marrëveshjen e stabilizim asociimit, organizuan mitingjet antikombëtare për të penguar anëtarësimin në NATO. Shpifët, trilluat dhe bëtë çdo gjë për të penguar ndërtimin e korridorit të kombit, bëtë gjithçka për të bllokuar vizat e shqiptarëve dhe së fundi ndërmorët sulmin ndaj Këshillit të Ministrave për të marrë pushtetin me dhunë.

Unë jam i bindur se çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet politike e ka të qartë se këto qëndrime janë në kundërshtim me interesat e tij jetike, personale dhe familjare, me interesat e kombit dhe të Shqipërisë. Ata janë interesave të kloneve puniste-mafioze që sot njëlloj si bllokmenët e 20 viteve më patë u thonë jo interesave tuaja, u thonë jo, interesave të fëmijëve tuaj, u thotë jo thirrjeve të miqve në mbarë botën.

Duke përfunduar fjalën time, dëshiroj tu bëj thirrje nga ky shesh, të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave, të moshuarve të Shqipërisë të bashkohemi sot më shumë se kurrë rreth mesazhit të 20 shkurtit, mesazhit të lirisë, të bashkohemi për lirinë dhe të drejtat tona, zgjerimin dhe konsolidimin e tyre. Të bashkohemi ne sot, me besimin tonë të palëkundur, tek e ardhmja jonë evropiane, të ndërtojmë ne së bashku, çdo orë, çdo ditë e çdo javë, godinën madhështore të Shqipërisë evropiane, si shtëpia jonë, si shtëpia më e bukur e jetës sonë, si shtëpia më e bukur e fëmijëve tanë.

Ne që përmbysëm bllokun, shtatoret dhe bustet e gjalla, ne që ndërtuam në Shqipëri, sistemin e demokracisë, të bazuar në ekonominë e lirë të tregut, ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, garantuam lëvizjen e lirë në mbarë Evropën, ne kemi si forcë të vetme besimin tonë tek zoti, besimin tonë tek njëri-tjetri, besimin tonë tek liria.

Marshi ynë I lirisë drejt Evropës është I pandalshëm. Ora jonë e lirisë nuk mund të ndalet kurrë. Ajo rreh një me tik- takun e zemrave tona, zemrave të mbarë shqiptarëve.

Zoti i bekoftë shqiptarët, lirinë dhe flamurin e tyre.

Zoti i bekoftë fëmijët e shqiptarëve, kudo që janë në botë.”

[media id=153 width=600 height=440]

KOMENTE