Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Beteja shqiptare për dinjitet
English

Beteja shqiptare për dinjitet

"Qytetarët e Shqipërisë kemi frikë se në këto kushte paradoksale kur EPP- Partitë Popullore Europiane mbështesin pa kushte Sali Berishën ndërkohë që Socialistët Europianë mbështesin pa kushte Edi Ramën, edhe nëse ne qytetarët shqiptarë fitojmë shenjtërimin e votës, nuk e fitojmë dot të drejtën për të zgjedhur, edhe pse e kemi fituar Anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave, edhe pse po zhytemi në limbo europiane duke mos e fituar Statusin e vendit Kandidat në BE"

Nga Arian Galdini

Ne qytetarët e dobët, e padëgjuar, të shpërfillur, por të paimplikuar dhe të ndershëm shqiptarë kemi frikë ngase gjatë këtyre viteve e muajve të fundit kemi vënë re plot pezmati se udha dhe aspirata shqiptare për tu bërë një ditë, një vend Perëndimor si gjithë Europa, ka shumë gjasa të jetë e shenjuar nga një karakteristikë e fortë de-perëndimizimi kronik me burime dhe ndikime të brendshme por edhe me nxitje e legjitimim transnacional. Shpesh herë këtë kaos, nxitje dhe legjitimim të çakërdisë politike të brendshme në Shqipëri e shkaktojnë vetë instutucionet Europiane dhe Partnerët e mëdhenj Ndërkombëtarë Perëndimorë, të cilët kur i aviten rastit shqiptar, pësojnë zaptim të gjymtyrëve institucionale, politike, strukturore, ligjore, dhe ekonomike, nga ngërçi i de-perëndimizimit spontan. Kriteret dhe indikatorët mbi të cilat Miqtë Perëndimorë na vëzhgojnë, bashkëpunojnë apo partnerizojnë me Shqipërinë time, me Shqipërinë tonë janë herë pas here kaq jo-domethënëse dhe kaq jo-jetësore në realitetin praktik, saqë vetvetiu takojnë më parë rënien, deformimin, jo-efektivitetin, përkohëshmërinë dhe zhbërjen e tyre sesa ngjizjen demokraci e liri-ndërtuese dhe ndikimin për ngritjen, inkurajimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Shoqëria Shqiptare ka mungesë përgatitjeje dhe terreni për demokraci apriori për shkak të trashëgimive të forta të së shkuarës. Ky këndvështrim plotëson një shpjegim logjik vetëpërmbushës sipas të cilit një vend si Shqipëria e ka udhë të gjatë, me pengesa të mëdha, udhën drejt demokracisë ngase ‘kultura e gabuar’ është këmbëkryq në çdo qelizë funksionale të shoqërisë dhe ‘kultura e drejtë’ i ka shanset e vogla për të ngritur kokë pikërisht për shkak të mungesës së demokracisë. Të dhënat në terren janë dyshimnxitëse se krizat ciklike të regjimit në Shqipërinë post-komuniste nuk çojnë drejt demokracisë, porse në të tjera rezultate dhe destinacione të tranzicionit. Gjithësesi e trishtë është e vërteta se nën këto kushte dhe me këtë realitet praktik të derisotëm, aspirata jonë Europiane dhe Perëndimore po kalon nëpër shtegun e kahhershëm dhe të mirënjohur tashmë të deperëndimizimit kulturor dhe sjellor. E themi këtë, ngase, kemi frikë mos ndoshta, përsëri në mënyrë shembullorisht ciklike ‘udhëheqësitë’ tona politike mund tia dalin mbanë që pas muajsh e muajsh zënkash dhe marrëzish lokale, madje edhe pas 21 Janarit 2011 kur humbën jetën 4 shqiptarë të pafajshëm, të përfitojnë bileta dhe ofertë për darkë europiane me menu ‘Good for Albania’ (E mirë për Shqipërinë) sikurse ishte rasti i Darkës së Strasburgut në Restorant Krokodili. Madje kësaj radhe darkën apo drekën mund ta shtrojnë në Tiranë, me ftesë të përbashkët të Berishës dhe Ramës, për Babën nga Bruseli Stefan Fulen që tu prijë tryezën. Nëse ndodh përsëri kësolloj marifeti, atëherë, është e sigurt se për ne qytetarët e Shqipërisë nuk do të ketë menu Europiane dhe aq më pak menu Perëndimore. Nëse ndodh përsëri ky marifet i tejshtrydhur, atëherë, gjithçka e përgatitur dhe ofruar plot kujdes dhe elegancë në tryezë nuk do të ketë mundësi dhe vlerë për të qenë e konsideruar si e dedikuar për Shqipërinë. Kemi frikë se ‘udhëheqësitë’ tona politike kanë talente sipërore, jo vetëm për të lodhur dhe dekurajuar shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë por edhe për të de-perëndimizuar Perëndimin.

Të gjithë politikanët shqiptarë këlthasin në tribunat e tyre të ngritura si ‘frëngji kotësie’ për të goditur me baltë njëri-tjetrin, se ‘E duan Shqipërinë si gjithë Europa’, por i vetmi destinacion ku na degëdisin është ndonjë sallë, zyrë apo Restorant luksoz Europian me emër Krokodili apo edhe Sofër Tiranase me emër Ariu sikurse ka ndodhur e mund të ndodhë sërisht, ku vetë Ofiqarët dhe Dinjitarët Europiane e Amerikanë kujdesen që të ofrojnë vetëm menu për dy apo për pak njerëz. Këto lloj menush aspak Perëndimore e mbajnë këtë vend të vogël, lodhshmërisht në stacionin ‘Shqipëria si Shqipëria’. Edhe pse emërtohen si darka euro-shqiptare, në fakt të vetmen vlerë Europiane kanë faturat që paguhen në euro dhe serviset. Gjithçka tjetër është mirëfilli alla-shqiptarçe. Ndonëse gjatë gjithë kohës bëjnë thirrje për parime të mëdha të cilat do ta Europianizojnë dhe Perëndimizojnë Shqipërinë në fund të ditës Ndërkombëtarët të rraskapitur nga një grusht politikanësh shqiptarë të konsideruar si ‘djemtë e këqinj’ të këtij vendi të vogël Ballkanik, përpëliten mes dëshirës, besimeve dhe realitetit duke iu dorëzuar dëshpërimit. Të dëshpëruar Partnerët tanë Ndërkombëtarë bëjnë vend për adaptim, realizëm dhe ‘zbritje me këmbë në tokë’, në axhendat e tyre të mbizotëruara nga nevoja për kuptueshmëri, siguri dhe stabilitet, duke u zhveshur nga kostumet dhe parimet e tyre Perëndimore.

Ne qytetarët e Shqipërisë kemi frikë se Perëndimi i lodhur me një grusht politikanësh shqiptarë ka lëshuar ‘Perëndimoren’. Kemi frikë se Parimet kanë rënë ose janë lënë pasdore ngase derisot tryezat janë shtruar vetëm për 2 ose për shumë pak njerëz, dmth, vetëm për grushtin e vogël të politikanëve shqiptarë, ndërkohë që ‘teknikalitetet shqiptare’ ndonëse aq shumë të kritikuara si vendstrehimi i djallit, janë shndërruar e shitur si “Zgjidhje e Madhe’.

Ne qytetarët e Shqipërisë deklarojmë se mossuksesi i tryezave të derisotme, përfshirë edhe atë të Restorant Krokodilit në Strasburg nuk qëndron tek mosarritja e Marrëveshjes mes dy Udhëheqësve tanë politikë Sali Berisha dhe Edi Rama. Ata madje në sinqeritet të plotë kanë refuzuar ‘çorbën’ që vetë kanë muaj e muaj që e trazojnë në Tiranë, kësisoj nuk kanë pse ta gëlltisin në tryeza luksoze perëndimore, përfshirë këtu edhe atë të Strasburgut për shkak të madhështisë së Restorantit me emrin e Krokodilit apo edhe Tryezën e mëtuar së shpejti me Stefan Fule në Tiranë, dhe as për shkak të shoqërisë së mirë dhe verës së kuqe. Suksesi i padiskutueshëm i dy Udhëheqësve tanë ‘Shpëtimtarë’, ‘çlirimtarë’ dhe ‘Protektorë’ është rrëzimi i Perëndimit dhe zhytja e Perëndimorëve në dekadencë të thellë shqiptare. Ne qytetarët e Shqipërisë kemi frikë se për rastin e Shqipërisë mund të shënohet tashmë pa asnjë ngurrim, se merr jetë zbatimi në terren i praktikës par excellence të ‘de-perëndimizimit’ të Perëndimorëve. Kemi frikë se edhe pas asaj që ndodhi në 21 janar 2011 dhe marrëzisë që ende vazhdon, do të detyrohemi të bëhemi dëshmitarë të një tjetër suksesi të Udhëheqësve tanë politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama, ndërsa ata me zhdërvjelltësi mund të sigurojnë vazhdimësinë e lojës së tyre të preferuar, lojës së zhurmshme dhe të pamoralshme për pushtet. Ne qytetarët e Shqipërisë kemi frikë se në shumë tryeza e reagime perendimore, Sali Berisha dhe Edi Rama kanë kuptuar se Ndërkombëtarët janë të gatshëm ti shkëmbejnë parimet e tyre të shenjta kur bëhet fjalë për Shqipërinë, mjafton që fatura në Euro që paguhet të mos i tejkalojë kufijtë e ‘Sigurisë dhe Stabilitetit’.

Kemi frikë se mendimi e qëndrimi Perëndimor për Shqipërinë është përmbyllur në klauzolën se: ‘kur grindjet e brendshme nuk rrezikojnë të transferohen gjetkë, atëherë “darkat Europiane” mund të përballojnë pa merak të gjitha faturat dhe kohën e shpenzuar në tryeza për dy apo shumë pak njerëz’. Kemi frikë se nëse aplikohet kjo klauzolë, si shumë herë të tjera, jashtë ofertës do të mbeten këtu qytetarët shqiptarë. Kemi frikë se Qytetarëve shqiptarë do tu shiten si shumë herë të tjera, edhe kësaj rradhe ‘darkat me menu teknikalitetesh’ si zgjidhje të mëdha që shenjtërojnë votën, që na kanë liberalizuar vizat, që na kanë anëtarësuar në NATO dhe që do të na anëtarësojnë në BE. Ne qytetarët e Shqipërisë pranojmë se e vërteta është se për rastin e Shqipërisë edhe Perëndimi është lodhur. Madje këtu në Shqipëri, ndër liderat politikë shqiptarë pakkush shqetësohet sinqerisht për Shtetin e së Drejtës, Qeverisjen e Pastër dhe të Moralshme, Pavarësinë e Institucioneve, drejtësinë, lirinë dhe shenjtërinë e garës, konkurencës, zgjedhjes, shenjtërinë e Pronës, etj. Ne qytetarët e Shqipërisë kemi frikë se ‘Udhëheqësitë tona’ kanë qenë tejet të suksesshme që të bindin ‘kushurinjtë e tyre reciprokë politikë’ në Europë që ti mbështesin dhe tu vënë shpatullat. Kemi frikë se ndarjen në llogoret Mik – Armik dhe copëzimin e shoqërisë shqiptare, ‘Udhëheqësitë tona’ e kanë bërë udhërrëfyes edhe të Ndërkombëtarëve. Kemi frikë se Perëndimi u nda në mes dhe loja mik – armik e politikanëve shqiptarë mori përmasa trans-nacionale duke u ndërkombëtarizuar si kurrë më parë. Thuhet se: ‘Ballkani vuan nga diktatura e kushurinjve.’ Ne qytetarët e Shqipërisë kemi frikë se në rastin e Shqipërisë ndarja dhe ngërçi vendor u legjitimua nga ‘Autoriteti i Kushurinjve Politikë Europianë’ të cilët u bënë pjesë e lojës duke shpartalluar ëndrrat perëndimore të qytetarëve të dobët shqiptarë. Sidoqoftë më e keqja qëndron se ‘lobingu’ i suksesshëm i secilës udhëheqësi politike shqiptare tek ‘kushurinjtë përkatës politikë ndërkombëtarë’ nuk na sjell domosdoshmërisht një Shqipëri të suksesshme. Përkundrazi Shqipëria humbet në honet e thella të ç’ndërkombëtarizimit dhe de-perëndimizimit, duke humbur çdo ditë e më tepër dinjitetin e saj dhe të qytetarëve të saj. Ne qytetarët e Shqipërisë kemi frikë se ‘Kushurinjtë politikë Europianë’ ua bëjnë qokën, nderin dhe favorizimin ‘udhëheqësive’ respektive shqiptare përsa kohë problemet dhe trazirat qëndrojnë të kyçosura brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë kurrsesi se mbështetja nënkupton Vlerësim e Respekt. Madje mund të ndodhë që sa më shumë mbështetje prej kushurinjsh politikë japin, aq më pak respekt kanë për udhëheqësit tanë rrëmujaxhij dhe primitivë.

Ne qytetarët e Shqipërisë kemi frikë se në këto kushte paradoksale kur EPP- Partitë Popullore Europiane mbështesin pa kushte Sali Berishën ndërkohë që Socialistët Europianë mbështesin pa kushte Edi Ramën, edhe nëse ne qytetarët shqiptarë fitojmë shenjtërimin e votës, nuk e fitojmë dot të drejtën për të zgjedhur, edhe pse e kemi fituar Anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave, edhe pse po zhytemi në limbo europiane duke mos e fituar Statusin e vendit Kandidat në BE, e sigurtë është se ne qytetarët shqiptarë nuk do të mund të lejohemi, e as ndihmohemi që të fitojmë dot Dinjitetin. Prandaj, sot, ne qytetarët e Shqipërisë lipset ti japim jetë Betejës sonë qytetare për Dinjitet duke e parë këtë betejë si të vetmen Betejë reale për Perëndimizim dhe Europianizim. Beteja për Dinjitet është e vetmja që mund ta lëvizë Shqipërinë nga stacioni: ‘Shqipëria si Shqipëria’ tek Stacioni: ‘Shqipëria si Europa’, ku qytetarët e ngazëllyer shqiptarë nuk do të keqpriten nga Europianët e lodhur. Aktualiteti i klithmës kombëtare: E duam Shqipërinë si gjithë Europa, merr vlerë vetëm nëse është e sinqertë dhe si ngasje e Betejës për Dinjitet.

NOA

KOMENTE