English

Libi: 200 të vdekur në protestat në Bengasi

Bengasi, Libi, 20 shkurt 2011, NOA – Numërohen 200 të vdekur dhe 800 të plagosur në demonstratat popullore kundër regjimit të Muammar Ghedafit në Libi të nisura këto katër ditët e fundit. Lajmin e bëri publik një aktivist i të drejtave, i quajtur Sami Mahmoud, i cili bëri me dije për televizionin satelitor arab Al Jazira se në qytetin Bengasi përpara stacionit të policisë po protestojnë 50 mijë qytetarë.

Ndërkohë sipas një tjetër aktivisti të të drejtave të njeriut, Essam Hassan në Bengasi sot po zhvillohen funeralet e 100 viktimave të vrarë në protesta.

Madje po sipas këtij aktivisti i intervistuar nga Al Jazira një ditë më parë kortezhet mortore janë qëlluar me plumba nga komisariatet e policisë.

Në një tjetër qytet libian, Derna, një tjetër aktivist Saleh Naji tregoi për Al Jazirën se në aeroportin ushtarak të El Abraq kanë zbarkuar një grup me rreth 70 ushtarë, mes të cilëve mercenarë afrikanë.

“Ka me mijëra kufuma të djegura”, tha një dëshmitar në këtë zonë.

Sipas aktivistit Naji shumë zyrtarë të ushtrisë dhe policisë janë bashkuar me demonstruesit, duke u dhënë atyre edhe armë.

Protesta kundër represionit të Muammar Gheddafit po zhvillohen në qytetet Bengasi, Misurata, Derna dhe Shahat.

mit/NOA

KOMENTE