English

Emigrantët nuk do të paguajnë doganë për makinat që sjellin nga jashtë

Ky lajm është pjesë e paketës së shërbimeve për abonentët. Nëse doni të pajiseni me një emër përdoruesi dhe fjalëkalim që të përfitoni lajmet ekskluzive dhe shërbimet e tjera të Agjencisë NOA, dërgoni një kërkesë tek pr@noa.al

Komisioni i Punës miraton në parim ndryshimet në Ligjin “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”. Ministria e Punës: Qëllimi i ndryshimeve, riintegrimi i shtetasve të kthyer

Tiranë, 21 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana – Emigrantët shqiptarë që kthehen në Shqipëri, pavarësisht formës së kthimit të tyre, nuk do të paguajnë detyrime doganore dhe taksa që lidhen me to, për automjetet e tyre dhe për pajisje biznesi.

Pohimin e bëri sot, Drejtoresha e Zyrës Juridike në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, znj. Albana Shtylla duke folur për ligjin e ri mbi emigrantët.

Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë miratoi sot në parim ndryshimet e propozuara në Ligjin nr.9668, datë 18.12.2006, “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”.

Drejtoresha e Zyrës Juridike në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, znj. Albana Shtylla, sqaroi se këto ndryshime vijnë në zbatim dhe përmbushje të Planit të Veprimit të Strategjisë për Riintegrimin e Shtetasve Shqiptarë të Kthyer në Vend, miratuar në qershor të vitit të kaluar dhe kanë për qëllim sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm për shqiptarëve të kthyer në vend, përmes mbështetjes së proçesit të riintegrimit, pavarësisht formës së kthimit të tyre.

Ndryshime janë propozuar edhe në nenin që përcakton lëshimin e dokumentit “Statusi i emigrantit”, duke e lidhur Statusin me shërbimet që ata përfitojnë.

Ligji përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrive të linjës si, MPÇSSHB, MPJ, MB, MASH, MPPTT, MBUMK, MF, METE, në kuadër të riintegrimit të shtetasve shqiptarë të kthyer.

Drejtoresha Shtylla tha: “Ligji i ri i përjashton emigrantët e riatdhesuar jo vetëm për automjetet personale, por edhe për makineritë dhe pajisjet që ata do të përdorin për qëllime biznesi. Po kështu është parashikuar që kjo kategori personash do të përfitojnë, të paktën fëmijët e tyre, shërbime që kanë për qëllim kurse dhe kurrikula për njohjen e gjuhës shqipe. Ka kategori tjetër emigrantësh të cilët nuk mund të kenë kushtet e nevojshme të jetesës. Për këta qeveria ka marrë përsipër në kuadër të politikave sociale për strehimin tu ofroje këto shërbime”.

***

Sipas Strategjisë këto institucione dërgojnë informacione pranë Sporteleve të Migracionit, të cilat më pas bëjnë informimin e shtetasve të kthyer.

Drejtoresha e Politikave të Migracionit në MPÇSSHB, znj. Silva Banushi, sqaroi se ndryshimet nuk kanë efekte financiare për buxhetin e shtetit, pasi ndryshimet ligjore vijnë në funksion dhe në zbatim të Strategjisë së miratuar në korrik dhe se efektet financiare për çdo institucion janë parashikuar që në atë kohë dhe janë miratuar tashmë në buxhetin e këtij viti.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës iu përgjigjen interesit të deputetëve, duke sqaruar konkretisht shërbimet që personat të cilët marrin “Statusin e Emigrantit”, do të përfitojnë, duke filluar nga informimi, lehtësirat doganore, orientimi për investime, mbështetje për strehim, etj.

Në ditët në vazhdim, Komisioni i Parlamentar thotë se do të marrë në shqyrtim ndryshimet ligjore nen për nen.

Drejtoresha Shtylla sqaroi se, hartimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit, vitin e kaluar u realizua në kuadër të plotësimit të kritereve të vendosura për liberalizimin e vizave dhe ndryshimet ligjore do të bëjnë të mundur zbatimin e këtij dokumenti të rëndësishëm politik dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme dhe domosdoshme riintegruese për të gjithë ata shqiptarë të cilët, në mënyrë vullnetare, apo në bazë të marrëveshjeve të ripranimit kthehen në vend.

Duke u ndalur konkretisht tek ndryshimet e propozuara në Ligj, Shtylla sqaroi se ato përfshijnë zëvendësimin e termit “emigranti shqiptar i rikthyer” në “shtetas shqiptar i rikthyer”, si dhe heqjen e kufizimit të qëndrimit prej “të paktën një vit në Republikën e Shqipërisë”, për të përfituar statusin e të rikthyerit. Me këtë ndryshim shtetasi i kthyer përfiton menjëherë pas kthimit shërbime informimi, orientimi, referimi, pjesëmarrjeje në programet e punësimit, formimit profesional, etj., bazuar në nevojat e tij.

Ndryshimet në Ligj parashikojnë edhe “Regjistrit për emigrantët”, i cili ngrihet në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Ndryshimet e propozuara bëjnë të mundur krijimin e një banke të dhënash për ruajtjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë të kthyer dhe të regjistruar pranë Sporteleve të Migracionit (të ngritura prej gjashtë muajsh, pas miratimit të Strategjisë, në 36 zyra pune në të gjithë vendin).

Në këtë mënyrë, Sportelet e Migracionit do të shërbejnë si pikë kyçe në nivel vendor, për të kryer vlerësimin e nevojave të personave të kthyer, për t’u dhënë atyre informacionin që u nevojitet si edhe për t’i referuar këta persona në institucione që japin shërbimet përkatëse.

e.t/NOA

KOMENTE