Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jo si një çështje ndjeshmërie
English

Jo si një çështje ndjeshmërie

Në cilësinë e Presidentit të Republikës, por dhe më parë si një qytetar i thjeshtë, më pas si një politikan, pa marrë fare në konsideratë eksperienca apo trauma familjare, apo farefisnore, jam përpjekur që ta shoh dhe ta ndërtoj marrëdhënien me të përndjekurit politikë, me shkrimtarët dhe intelektualët e përndjekur, me familjet dhe pasardhësit e tyre, si dhe me vetë përndjekjen si fenomen e jo si një çështje ndjeshmërie apo thjesht një tendencë politike, por përkundrazi, si një detyrim moral dhe institucional mbi të gjitha

Nga Bamir Topi Demokracia, që ne po përpiqemi të ndërtojmë me aq mund, sakrifica dhe përkushtim prej më shumë se dy dekadash vërtet që nuk duhet dhe nuk mund t’i ketë themelet e veta mbi harresën, aq më keq mbi orvatjet e dështuara për të shpërndarë dhe justifikuar masën e fajit duke tentuar njehsimin e vuajtësve me xhelatët, të të përndjekurve me inkuizitorët. Ja përse kjo ceremoni e cila harmonizohet në mënyrë shumë të qartë me një fotoekspozitë në përkujtim të figurave emblematike që kanë qenë vërtet simboli i qëndresës ndaj asaj që populli shqiptar e kaloi si një traumë të pazakontë si asnjë popull tjetër për pesëdhjetë vjet, bën që ne të ndjehemi sa të emocionuar aq edhe krenarë. Ja përse na duhet një fotoekspozitë e tillë, prej së cilës të gjithë ne mund të mësojmë shumë. Ja përse na duhen libra, dokumentarë, muzeume, vepra artistike dhe rrëfime-kujtesë. Ja përse na duhen dëshmi të gjalla të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet e internimit komunist dhe përkujtimore të viktimave. Sot, natyrisht më shumë se kurrë. Në cilësinë e Presidentit të Republikës, por dhe më parë si një qytetar i thjeshtë, më pas si një politikan, pa marrë fare në konsideratë eksperienca apo trauma familjare, apo farefisnore, jam përpjekur që ta shoh dhe ta ndërtoj marrëdhënien me të përndjekurit politikë, me shkrimtarët dhe intelektualët e përndjekur, me familjet dhe pasardhësit e tyre, si dhe me vetë përndjekjen si fenomen e jo si një çështje ndjeshmërie apo thjesht një tendencë politike, por përkundrazi, si një detyrim moral dhe institucional mbi të gjitha. ***

Lufta e klasave, përndjekja deri në djep, por edhe më tej tek pasardhësit, të cilët ende nuk kishin lindur, shkelja e të drejtave të njeriut, dhuna e ushtruar nga sistemi diktatorial komunist ndaj të gjithë atyre që mendonin dhe vepronin ndryshe nga kasta në pushtet, duhen demaskuar dhe dënuar publikisht dhe historikisht. Vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për një shtet të konsoliduar të së drejtës, për një drejtësi të vonuar, por jo të mohuar dhe për një demokraci të konsoliduar. Kërkohet drejtësi dhe rivendosje dinjiteti të mohuar, natyrisht, jo hakmarrje. Të flasësh dhe të përkujtosh të shkuarën, i shërben më së miri jo vetëm së tashmes, por edhe një të ardhmeje pa mite të rreme dhe histori të trilluara. Jo më larg se tetë muaj më parë, gjatë një veprimtarie përkujtimore për poetët dhe shkrimtarët e vrarë nga regjimi komunist, jam shprehur publikisht: “Institucionet shtetërore që mbulojnë trashëgiminë kulturore dhe historike, duhet të kenë një vizion të qartë. Dogmat e së djeshmes duhet të zëvendësohen nga objektiviteti shkencor. Harresa është përligjje dhe manipulim prandaj, kundër saj duhen sa më shumë botime të kësaj letërsie, botime dokumentesh e tekstesh profesionale, sa më shumë ekspozita dhe albume tematike, e pse jo, edhe muzeume të kujtesës, duke ndjekur përvojat e vendeve me histori të ngjashme.” Qëllimi fisnik i ideuesve dhe mundësuesve të kësaj fotoekspozite, po citoj në mënyrë të veçantë zotin Ndregjoni dhe Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës janë për t’u lavdëruar dhe për t’u marrë shembull, sepse sot më tepër se asnjëherë tjetër, pas njëzet vjetësh në demokraci, pas shembjes së busteve e monumenteve të rreme e të fabrikuara, ne kemi nevojë për të rikujtuar, rivlerësuar dhe rireflektuar gjithashtu. Kemi nevojë për heronj pozitivë të historisë sonë kombëtare, për figura me virtyte të vërteta njerëzore dhe me shpirt të lirë e demokratik, për shembuj, nga të cilët brezi i ri duhet të ndihet krenar e të frymëzohet, duke u mëkuar e rritur me atdhedashuri. Duke pasur parasysh edhe përvojën e hidhur të kombeve të tjera të përndjekura gjatë rrjedhës së historisë, shtrembërimin e historisë, harresën apo pluhurosjen e qëllimshme të ngjarjeve dhe personazheve historike, mund të themi me plot gojë që rënia në këtë grackë do të ishte zvetënim dhe dobësim i ndërgjegjjes së një kombi dhe i kujtesës historike të tij. ***

Kjo fotoekspozitë dhe veprimtari të tilla të ngjashme si kjo, sidomos në njëzetvjetorin e 20 shkurtit, të rrëzimit të monumentit të diktatorit, – ditës që çliroi përfundimisht të gjitha viktimat e diktaturës, tiranisë dhe shtazërisë njerëzore të një periudhe prej gati katër dekadash, – na detyrojnë të mos harrojmë kurrë se përpjekjet dhe lufta e përjetshme e njerëzimit për të menduar dhe jetuar të lirë nuk ndërpritet dhe nuk merr fund asnjëherë. Krimet duhen dënuar, qoftë edhe historikisht. Fajtorët duhen ndëshkuar, qoftë edhe moralisht! Viktimat duhet të prehen në paqe dhe të gjallët duhet të çlirohen një herë e përgjithmonë nga makthet e tyre, të bindur plotësisht që drejtësia është vënë në vend, që falja u është kërkuar sinqerisht. Vetëm në këtë mënyrë, edhe të përndjekurit, edhe ata vetë personalisht, do të munden të falin me gjithë zemër, do të jenë në gjendje të ringrihen më krenarë se kurrë e të besojnë plotësisht se tempulli i shenjtë i demokracisë dhe institucionet e tij të pavarura mbështeten të palëkundura e të pacënuara nga askush dhe asgjë mbi themelet e forta të mësimeve të vyera, që kemi nxjerrë nga historia dhe e kaluara jonë e hidhur. Në këtë ceremoni, si gjithmonë kur janë organizuar takime në memorie të të përndjekurve politikë, të kalvarit të tyre të jashtëzakonshëm, në mirënjohje të veprës së tyre, në mirënjohje të asaj që ata kanë bërë të mundur, ato elemente demokracie që gëzojmë sot, padyshim që prezenca e përfaqësuesve të vendeve më demokratike të botës kanë qenë gjithmonë e pranishme, e pranishme jo vetëm fizikisht. I pranishëm ka qenë kontributi i tyre me një kompleksitet të jashtëzakonshëm, gjithmonë duke qenë afër, duke i mbështetur të përndjekurit politikë, duke mbështetur këtë histori të jashtëzakonshme dhe unikale të popullit shqiptar në dekadat e izolimit, kështu që besoj që edhe në emrin tuaj më lejoni që t’i falënderoj ata përzemërsisht. I falënderoj sepse vetëm duke pasur ndihmën e tyre, duke u orientuar me standardet e demokracisë që këto vende i kanë instaluar me kohë dhe po bëjnë të mundur që këto standarde t’i arrijmë edhe ne në Shqipëri. Duke iu referuar këtij evenimenti të veçantë, më lejoni që në mbyllje të fjalës sime të them: “I përjetshëm qoftë kujtimi i vuajtjeve dhe sakrificave të tyre dhe lavdi u qoftë veprave fisnike e atdhetare të të përndjekurve!”.

*Fjala e mbajtur në hapjen e fotoekspozitës “Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën”

KOMENTE