English

Komisioni i Ligjeve miratoi me votat e mazhorancës kufizimin e imunitetit

Tiranë, 21 shkurt 2011, NOA – Pas debateve të shumta dhe kundërshtive të opozitës ashtu sikundër pritej Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi sot vetëm me votat e mazhorancës projektvendimin për ndryshimin e rregullores së kuvendit sa i përket kufizimit të imunitetit të deputetëve si dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale. Deputetët e opozitës, të cilët bojkotuan votimin në komision i cilësuan dy nismat dhe ndryshimet e propozuara nga mazhoranca si antikushtetuese dhe si një ndërhyrje të PD-së në punët e organit të akuzës.

Gjatë debateve të shumta në komision mes mazhorancës dhe opozitës, deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj kërkoi që në kufizimin e imuniteteve të përfshihen edhe ministrat të cilët sipas Xjafajt nuk janë përfshirë në ndryshimet e rregullores të kërkuara nga deputetët e PD-së.

Xhafaj tha gjithashtu se prokuroria nuk mund t’i zbatojë vërejtjet e propozuara për kufizimin e imunitetit, me argumentin se imuniteti i deputetit sanksionohet nga Kushtetuta.

Por, Kryetari i komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së Ilir Rusmali e mbrojti projektvendimin duke thënë se propozimi për kufizimin e imunitetit nuk ndërhyn as në punët e Kuvendit dhe as në ato të Prokurorisë.

Edhe pse opozita këmbëngulte në qëndrimin e saj, Rusmali i kërkoi deputetëve të opozitës të japin konsensus për kufizimin e imuniteteve, me argumentin se Parlamenti duhet të jetë institucioni që të sjellë propozimet më të forta në luftën kundër korrupsionit.

Rusmali risolli në vëmendje se vetë deputetët e PD-së heqin dorë nga imuniteti vetëm me një vetëdeklarim, duke bërë me dije se me një tjetër deklarim imuniteti mund të rimerret sërish.

Projektvendimi i propozuar nga mazhoranca për kufizimin e imunitetit të deputetit dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale, synon kufizimin e imunitetit të deputetëve për fillimin e ndjekjes penale për veprat penale që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv sipas dispozitave të Kodit Penal.

Ndërkohë lidhur me projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, të ndryshuar” dhe aneksit të saj (Projektvendimi për kufizimin e imunitetit të deputetit dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale), Komisioni i Ligjeve do të vijojë diskutimet në mbledhjen e radhës së tij.

Gjatë mbledhjes së sotme Komisioni i Ligjeve miratoi edhe dy projektligje të rëndësishme, si atë “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së NATO-s për mirëmbajtjen dhe furnizimin (NAMSA), për demontimin e municioneve” si dhe projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës , për zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë dhe statusin e saj ligjor”.

mit/NOA

KOMENTE