Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shpëlarja e blozës
English

Shpëlarja e blozës

Dje qytetarët e Tiranës shpëlanë blozën nga rrugët, gurët, hunjtë, ndërtesat e qytetit, për t’ua rikthyer siç e meritojnë ata që më 21 janar, të parët në historinë e Evropës së pas luftës, me banda të organizuara sulmuan për 5 orë qeverinë legjitime shqiptare, për ta përmbysur atë dhe për të marrë pushtetin me dhunë

Nga Sali Berisha

Le të falënderojmë ne bashkërisht ata qindra e mijëra qytetarë që i dhuruan dje Tiranës, në një nga datat më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, një nga festat më të bukura që ajo ka përjetuar ndonjëherë.

Pjesëmarrja masive, entuziazmi, atmosfera festive ishin dhurata më e bukur dhe mirënjohja më e thellë ndaj atyre studenteve dhe studentëve, qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që zhvilluan më 20 shkurt të vitit 1991 betejën më të fuqishme, më masive, më të vendosur në historinë tonë mbi bllokun, bllokmenët, bronzet e tyre të gjalla dhe të vdekura. Kjo ngjarje meritonte festimin e djeshëm. Dhe është në kënaqësinë tonë të madhe që qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë iu përgjigjen kësaj ngjarjeje me ndjenjat, emocionet, respektin, dashurinë dhe vlerësimin më të madh. Tirana vetë, pas plagëve të zjarrvënësve, hunjve dhe gurëve të bashibozukëve, mercenarëve, kishte nevojë të paraqiste veten dhe vlerat e saj në një manifestim kaq të bukur.

Dje qytetarët e Tiranës shpëlanë blozën nga rrugët, gurët, hunjtë, ndërtesat e qytetit, për t’ua rikthyer siç e meritojnë ata që më 21 janar, të parët në historinë e Evropës së pas luftës, me banda të organizuara sulmuan për 5 orë qeverinë legjitime shqiptare, për ta përmbysur atë dhe për të marrë pushtetin me dhunë.

Ndaj dhe ne le të shprehim mirënjohjen më të thellë. Ta konsiderojmë këtë fillimin ‘de facto’ të fushatës elektorale, pasi ‘de jure’ ajo do të jetë më datën 22 mars. ‘De facto’ kjo festë ishte njëkohësisht dhe fillimi më i bukur i një fushate elektorale të qytetëruar, i një fushate ndër më të bukurat që shqiptarët kanë njohur. Mendoj se tek koncerti i djeshëm festiv ne kemi modelin e fushatës së ardhshme. Dhe atë e krijuan qytetarët në mënyrën më mahnitëse.

***

Çdo orë dhe çdo ditë ju, së bashku me strukturat e Partisë Demokratike në çdo rreth dhe çdo qark, duhet të përkushtoheni për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale. Brenda muajit shkurt të finalizojmë përzgjedhjen e kandidatëve, në mënyrë që të fillohet menjëherë nga puna.

Ne kemi një situatë të shkëlqyer. Ne shkojmë në këto zgjedhje me një bilanc të paprecedentë; shkojmë në këto zgjedhje me arritje shumë të mëdha, me arritje historike; shkojmë në këto zgjedhje si një forcë politike që në mënyrë të prekshme ka bërë që të ndryshojë qartësisht pozitivisht jeta e mbarë komuniteteve të vendit; shkojmë në këto zgjedhje pasi ne ia kemi dalë dhe jemi të vetmit që kemi bërë që të rriten në mënyrën më të ndjeshme të ardhurat familjare për 820 mijë familje shqiptare, rrogat dhe pensionet; shkojmë në këto zgjedhje pasi kemi realizuar një nga premtimet e mëdha historike dhe më të rëndësishme të të gjithë jetës sonë politike, heqjen e vizave, lëvizjen e lirë të shqiptarëve; shkojmë në këto zgjedhje pasi Shqipërinë me bukuritë e saj mahnitëse, me peisazhet e saj magjepsëse, me brigjet e saj të pashoqe, ia kemi dalë ta shndërrojmë në destinacionin turistik kryesor të planetit.

Sigurisht, flakët dhe bombat molotov të 21 janarit nuk është se nuk kanë hedhur blozë në imazhin e saj, por ne, që në një hark kohor kaq të shkurtër e sollëm nga një vend që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror - në destinacionin turistik të botës, përsëri do ta nxjerrim nga ai imazh i keq dhe që do të bëjmë që numri i turistëve të rritet, këtë vit të jetë më shumë se vitin e kaluar dhe çdo vit e më i lartë.

Ne shkojmë në këto zgjedhje me një ekonomi që po vibron çdo vit e më shumë. Jam befasuar dje kur konstatova se eksportet e janarit që shkoi, i cili zakonisht është një muaji i përgjumur nga festat, tejkalonin qartësisht eksportet e dhjetorit që kaloi. Dhe tejkalonin ndjeshëm në një kohë kur ishin qartësisht mbi dyfish me janarin e vitit 2009. Pra ekonomia që shokët kërkojnë ta paraqesin të sëmurë me çdo kusht, faktikisht është në ditët e saj më të mira. Dua t’ju njoftoj se të gjitha projektet tona të premtuara do të zbatohen pikë për pikë. Së shpejti përzgjidhet fituesi i tenderit të tunelit të Elbasanit, i cili ka një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë, dhe kështu me radhë projekte të tjera.

Ndaj dhe ju ftoj që këtë periudhë ta shndërrojmë, së bashku me komunitetet, në një periudhë të përcaktimit, të vlerësimit dhe rivlerësimit në çdo komunitet, çdo komunë dhe çdo bashki. Në këto zgjedhje është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi projektin e finalizimit të zhvillimit të qëndrueshëm të këtij vendi. Ne kemi investuar miliarda euro e dollarë në këtë fushë. Ne kemi një objektiv: në vitin 2017, Shqipëria nga grupi i vendeve me të ardhura të mesme të larta, në grupin e vendeve të zhvilluara. Ky objektiv realizohet vetëm duke transformuar vendin, duke e nxjerrë atë nga e gjithë prapambetja mesjetare që ekziston ende në shumë zona rurale tonat për sa i përket infrastrukturës.

Këto zgjedhje janë, gjithashtu, një rast shumë i veçantë për të studiuar çdo potencial zhvillimor në çdo komunë dhe bashki të vendit. Cilat janë rezervat, kapacitet, ku duhet të bazohemi dhe të orientojmë burimet financiare për katër vitet që vijnë? Ne jemi të vendosur të kemi partneritet dhe të vazhdojmë partneritetin me autoritetet e ardhshme zgjedhore, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake. Ne kemi krijuar një traditë të shkëlqyer me të gjitha qeveritë vendore të vendit përveç Tiranës, e cila pavarësisht se ne i kemi trefishuar fondet ka preferuar të mos ua adresojë atë qytetarëve të Tiranës, por 99-shave të tij. Por fakti është se numri i rrogëtarëve në këtë bashki është trefishuar. Ndaj dhe të marrim modelin e djeshëm festiv, ta konsiderojmë atë si modelin më të bukur të fushatës sonë elektorale dhe të fillojmë punën me njerëzit. Të finalizojmë sa më shpejtë kandidatin më të mirë për zgjedhjet.

***

Të punojmë intensivisht për programin e zhvillimit në çdo komunitet, në të katër anët e vendit.

Ne këtë javë votojmë në Parlament një akt madhor, aktin e heqjes dorë dhe sanksionimit në rregulloren e Parlamentit të kufizimit të imunitetit për sa i përket korrupsionit aktiv dhe pasiv. Mendoj se ky është një nga vendimet më të shkëlqyera dhe më të rëndësishme që ne marrim. Kjo mazhorancë dhe Partia Demokratike ka realizuar gjatë këtyre viteve një luftë të vendosur ndaj korrupsionit, me rezultate të prekshme për çdo qytetar shqiptar. Këto rezultate janë konvertuar në rritjen më të madhe të rrogave në Evropë dhe nuk do të kish qenë e mundur rritja e rrogave në mesatare 66 përqind, dyfishimi i rrogave të arsimtarëve, dyfishimi i rrogave të mjekëve, dyfishimi i rrogave të infermierëve dhe mbi dyfishimi i tyre në rast se ne nuk do të ishim vendi i vetëm në Europë që duke luftuar korrupsionin kemi rritur të ardhurat buxhetore dy herë nga taksat dhe tatimet. Kjo është e vërteta. Me vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin ne u shndërruam në vendin e parë në botë për prokurimet elektronike; me vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin ne kemi vendosur një nga standardet më të mira në Evropë për sa i përket transportit të zyrtarëve dhe ju keni një meritë shumë të madhe; me vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin ne kemi vendosur transparencën më të madhe në lejet dhe licencat, regjistrimin e bizneseve, pranimet universitare dhe një seri fushash të tjera. Ne e vazhdojmë këtë betejë me vendosmërinë më të madhe.

Duhet të theksoj këtu se në rast se Shqipëria ia doli të lëvizë me shpejtësi dhe të lërë pas 95 vende në luftën kundër korrupsionit, ajo renditet e treta në botë më e korruptuar për lejet e ndërtimit, për shkak të kryetarit të bashkisë dhe bashkisë së Tiranës. Shqipëria renditet në vendin e 173 në botë për procedurat e korruptuara të lejes së ndërtimit. Ai që bërtet gjithë ditën për korrupsionin, për fat të keq të këtij qyteti, përfaqëson monumentin më të nxirë të korrupsionit në Shqipëri dhe në botë. Hidhni sytë te kulla e Fidelit. Ajo nuk është gjë nga ç’është shtatorja e korrupsionit të kryetarit të tij. Problemi i zotit Rama është se ky është i vetmi korrupsion në botë që mbrohet nga korruptorët e shtetit. Në mënyrë të padiskutueshme, ky është i vetmi korruptor i njohur botërisht që mbrohet nga korruptorët e shtetit. 70 përqind të lejeve të ndërtimit kryebajlozi i korrupsioni ua ka dhënë vetëm dy kompanive, drejtorit të tij të urbanistikës dhe Shkrelit të vetë të bashkisë. Për 70 përqind të lejeve të ndërtimit institucionet zyrtare kanë çuar dosje në Prokurori me kohë, por korruptorët e shtetit kanë vendosur të mos njohin as ligj dhe as Maliq për mbrojtjen e tij. Ish ministra socialistë dhe, më vonë, ministra e deputetë të Partisë Demokratike kanë çuar një seri dosjesh të tjera ku janë vjedhur e abuzuar shuma marramendëse. Korruptorët e shtetit i kanë futur turshi.

Ky është zyrtari i vetëm që është akuzuar publikisht nga biznesmenë dhe ndërtues se ka kërkuar 1 milionë euro, se ka kërkuar 600 milionë euro, për këtë apo atë leje ndërtimi. Për bajlozin e zi të korrupsionit, monumentin dhe shtatoren e tij, për korruptorët e shtetit nuk ekziston ligji kryesisht. Nuk munden se i ndajnë paratë me të. Vetëm dy muaj më parë doli në dritën e diellit kontrata 20 përqindshe. Ajo nuk ishte një copë letër, por ishin pallate 35 katëshe, të lartësuara deri afër reve në mënyrë që fitimi për 20 përqindëshin të shkonte deri afër reve. U bënë të gjitha deponimet, por korruptorët e shtetit që ndajnë paratë me të, deri më sot, nuk e kanë pyetur as edhe një herë të vetme. Kjo, sepse në rast se do ta pyesnin nuk kishin asnjë rrugë tjetër përveç se të pandehur.

Bajlozi i zi i korrupsionit dënon vendin në tërësi. Sepse në rast se Shqipëria renditet e 173 për lejet e ndërtimit të Tiranës, lë të kuptohet se kjo zvogëlon në renditje efektet pozitive të masave që kemi marrë.

***

Nuk duhet të kemi iluzione për ata që i kanë mbyllur dhe futur turshi të gjitha dosjet e tij, duke mos llogaritur këtu edhe nja 400 dosje të suitës së tij dhe qeveritarëve të partisë së tij. Na mbetet 8 maji. 8 maji është verdikti i pa apel i qytetarëve të Tiranës. Verdikt i paapelueshëm, përfundimtar. Më 8 maj qytetarët e Tiranës do të shembin shtatoren e zezë të korrupsionit të ngritur në qendrën e këtij qyteti. Ndaj dhe do të bëjmë një punë intensive në këtë fushatë.

Ministri Basha po merret me degën e Partisë Demokratike së bashku me zotin Bumçi, por edhe ministra e deputet të tjerë, në këtë qytet të braktisur prej 4 vjetësh, këtë qytet ku vetëm kupola e Partisë Socialiste, Fidelët, Koçot, Dulakët, për këta që drejtonin nga bunkeri i Fidelit grushtin e shtetit për pushtet, vetëm këta kishin marrë në qendër të qytetit 500 mijë metër katrorë tokë publike. Imagjinoni, qindra milionë euro.

Ndaj dhe në këto kushte, kur është shndërruar në një shtatore të zezë të korrupsionit, ne le ta zgjidhim në mënyrën më demokratike, më të qytetëruar, në datën 8 maj. Sepse ne i japim përgjigjen e merituar jo vetëm atij dhe korrupsionit, por edhe atyre korruptorëve të shtetit që s’hapin një dosje, që s’prekin një faqe nga megaaferat e tij që shkojnë qindra-miliona euro.

Ndërsa vajtimin sot ai e kishte, sepse ka qarë me dënesë ditën e rënies së bustit. Se për atë bust, në veprën e të atit, ai kishte harxhuar muaj të tërë duke lëmuar. E ka përjetuar atë moment si dramën më të madhe personale të jetës së tij. Por s’kemi çfarë t’i bëjmë. Le të gjejë ndonjë një copë të tij dhe ta mbajë shtëpi”.

KOMENTE