English

Ksera në Këshillin e Punës: Zhdukje e varfërisë përmes projekteve të punësimit

Tiranë, 22 shkurt 2011, NOA- Ditën e sotme u mblodh Këshilli Kombëtar i Punës.

Gjatë kësaj mbledhje mësohet se tregu i punës, punësimi, inspektimi, siguria dhe shëndeti në punë, problematika e sektorit të ndërtimit ishin temat e diskutuara në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës për këtë vit.

Ministri i Punës, Spiro Ksera, njëherësh edhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Punës, që në krye vuri në dukje rëndësinë e zhvillimit të dialogut social në vend dhe diskutimin e të gjithë problematikës ekonomiko-sociale të vendit në organin më të lartë tripalësh, Këshillin Kombëtar të Punës.

“Zhvillimi dhe fuqizimi i dialogut social është, ndër të tjera, edhe një kërkesë dhe detyrë që duhet të përmbushë Shqipëria në kuadër të integrimit evropian të vendit”, u shpreh Ministri Ksera.

Ndërkaq krahas ministrit, në Këshillin Kombëtar të Punës raportuan me radhë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço, Kryeinspektorja e Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Vikrita Çuto dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naçi.

Gjatë fjalës së tij Miço u ndal në treguesit e tregut të punës për vitin 2010 dhe punën që bëhet për informatizimin e tij.

Ai deklaroi se nga të dhënat e fundvitit 2010, rezulton se niveli i papunësisë së regjistruar arrin në 13.5% nga 13.8% në fund të vitit 2009, pra vërehet një rënie prej 0.3%, tregues ky i rritjes së performancës së shërbimeve të punësimit, por edhe ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit.

Kryeinspektorja Çuto vuri në dukje se, përveç legjislacionit gjatë vitit 2010 është punuar edhe për rritjen e numrit dhe të cilësisë së inspektimeve me qëllim kontrollin e zbatueshmërisë së legjislacionit të punës në të gjithë sektorët.

Sipas saj, numri i subjekteve të inspektuara gjatë vitit 2010 është 3 000 subjekte më shumë se inspektimet e vitit 2009, ku në fokus për herë të parë kanë qenë turnet e dyta dhe të treta të punës.

Ministri Ksera informoi partnerët edhe për nismën e ndërmarrë nga Qeveria dhe Ministria e Punës për përmirësimin e skemës së ndihmës ekonomike, një proces që është në vazhdim dhe që pritet të sjellë mbështetje më të mirë për individët dhe familjet në nevojë dhe arritjen e objektivit ambicioz të Qeverisë për zhdukjen e varfërisë absolute deri në 2012.

“Partnerët mbështetën reformën dhe vlerësuan se ka ardhur koha që të kalohet nga një skemë pasive të ndihmës ekonomike në skemë aktive, ku pushteti vendor i përdor fondet për të krijuar vende pune dhe për të hartuar e zbatuar projekte të punëve në komunitet”, deklaroi Ksera..

Po ashtu, Ministri informoi partnerët se gjatë vitit në vazhdim prioritet i politikave të formimit profesional dhe të nxitjes së punësimit do të jetë sektori i turizmit, zhvillimi i të cilit është edhe prioritet madhor i Qeverisë.

Problematika në sektorin e ndërtimit, ishte një nga çështjet që u trajtua në mbledhjen e sotme, ku Avenir Kika, Përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, renditi një sërë problemesh që shqetësojnë këtë sektor, ku ndër më të rëndësishmit përmendi mungesën e planeve rregulluese të territorit.

a.y/NOA

KOMENTE