English

Presidenti i Kosovës: I përulur para popullit tim

Prishtinë, 22 shkurt 2011, NOA – “Jemi me vonesë. Zoti e bekoftë Kosovën dhe kosovarët në rrugën drejt të ardhmes”. Me këto fjalë e ka mbyllur fjalimin e tij të parë si Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, një fjalim që ai ia drejtoi popullit të Kosovës menjëherë pas betimit të tij si President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga deputetët me 62 vota, vetëm në raundin e tretë të votimit.

Presidenti i sapozgjedhur pa votat e opozitës kosovare, shprehu përuljen e tij ndaj qytetarëve të Kosovës, duke deklaruar para popullit të tij se Kosova ka shumë sfida përpara.

“Ndihem i përulur sot para qytetarëve të Kosovës”, tha Pacolli duke siguruar se ai do të justifikojë me dinjitet besimin që i dha populli i tij.

“Unë do të përfaqësoj interesat e qytetarëve”, nënvizoi Pacolli, duke këmbëngulur se “Integriteti dhe tërësia territoriale e Kosovës është e shenjtë dhe mbi çdo interes tjetër”.

Në këtë kontekst ai falënderoi të gjitha shtetet që njohën pavarësinë e Kosovës.

Ai garantoi se do të punojë që Kosova të zhvillojë gjithmonë zgjedhje të lira e të ndershme.

Duke folur për bisedimet teknike me Serbinë pacolli theksoi se ato janë pjesë e një procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Pas fjalës së Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës po vijon seancën në pritje të miratimit të kabinetit të ri qeveritar. Vijon

mit/NOA

KOMENTE