English

Topi përshëndet drejtuesit e institucioneve

Tiranë, 23 shkurt, NOA – Presidenti i vendit Bamir Topi ka përshëndetur sot qeverinë dhe presidentin e Kosovës me marrjen e detyrës, pas zgjedhjeve që u bën dje në Kuvendin e Kosovës.

“Në emër të shtetit shqiptar dhe në emrin tim personal i dërgoj përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta Presidentit, Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit, qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës me rastin e konstituimit të institucioneve kryesore drejtuese.

Inaugurimi i Parlamentit të ri dhe zgjedhja e Presidentit dhe e qeverisë i japin një provë të re demokratike popullit të Kosovës dhe njëherësh hapin një kapitull të ri politik për Kosovën dhe shtetin e saj”, është shprehur kreu i shtetit, në një mesazh urimi dërguar drejtuesve të institucioneve më të larta.

Topi shprehet se drejtuesit e rinj kanë të gjitha mundësitë për të orientuar shtetin e Kosovës drejt integrimit të tij.

“Unë kam besim të palëkundur se institucionet e Kosovës do të dinë të orientojnë të gjitha energjitë e tyre në drejtim të axhendës prioritare për forcimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë funksionale, për zhvillim ekonomik dhe bashkëjetesë paqësore ndëretnike, për njohje të reja të shtetit të ri të Kosovës, për anëtarësim të pritshëm në OKB, si dhe për hapa të sigurt drejt integrimit të plotë euroatlantik”, shprehet Topi.

Nga ana tjetër, Topi garanton dhe bashkëpunimin dhe ndihmën e shtetit shqiptarë në të gjitha fushatat për Kosovën.

“Në të gjithë këtë proces historik ju siguroj se Shqipëria ka qenë, është e do të jetë në krah të Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve të saj, në mbështetje të procesit të gjithanshëm demokratik dhe integrues”, shprehet Topi në mesazhin e tij.

a.k/NOA

KOMENTE