English

Edita Tahiri: Çështja e statusit të Kosovës, nuk mund të rihapet në asnjë mënyrë

Prishtinë, 25 shkurt, NOA - Zëvendëskryeministrja kosovare, Edita Tahiri i tha BBC-së se çështja e statusit të Kosovës në asnjë mënyrë nuk mund të rihapet në dialogun me Beogradin.

Zonja Tahiri, e cila u emërua si kryesuese e delegacionit të Prishtinës për bisedimet me palën serbe, tha se çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin e Kosovës i takojnë institucioneve shtetërore.

Ajo përjashtoi mundësinë që në këto bisedime të negociohet çështja e veriut të Kosovës, ku serbët vazhdojnë të sfidojnë autoritetin e Prishtinës.

Sipas saj, dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë, do të zhvillohet në cilësinë e dy shteteve sovrane, ndërsa do të diskutohen çështje teknike, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, lëvizja e lirë, doganat etj.

Zonja Tahiri, çfarë nënkupton për ju emërimi si udhëheqëse e delegacionit të Prishtinës në bisedime me Beogradin?

Në kuadër të detyrës sime të re si zëvendëskryeministre për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë nacionale ka ardhur edhe kjo përgjegjësi që të jem udhëheqëse e delegacionit për dialogun teknik midis shtetit të pavarur të Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se është një fazë shumë interesante me sfida të rëndësishme.

Emërimi juaj në këtë post erdhi dy ditë pas formimit të qeverisë së Kosovës. A do të thotë kjo se qeveria e konsideron çështje urgjente dialogun me Beogradin dhe se fillimi i tij është çështje ditësh?

T'ju them të drejtën fakti që ne kemi pasur zgjedhje dhe ka qenë një kohë derisa u konstituan institucionet, tash jo vetëm në fushën e polikës së jashtme, përfshirë edhe dialogimin, por edhe në fushat tjera të angazhimit të qeverisë së Republikës së Kosovës, do të përpiqemi që të kompensojmë periudhën e kaluar. Prandaj në kuadër të të gjitha përpjekjeve që të angazhohemi maksimalisht, është edhe kjo çështje.

Ka një afat kohor kur pritet të nisë dialogu, a është caktuar tashmë data dhe agjenda e dialogut?

Kjo është fazë parapërgatitore, përfshirë edhe agjendën, edhe afatet, por pas konsultimeve gjithsesi do të jemi në gjendje të kemi një orientim më të qartë.

Në Prishtinë dje ka qëndruar edhe i dërguari i baroneshës Ashton, Robert Cooper që do të lehtësojë dialogun Prishtinë-Beograd. Çfarë propozimi ka sjellë BE-ja për dialogun?

Pasi që të takohemi, besoj që do ta kemi më të qartë konceptin e BE-së, por ky dialog teknik të ju them se do të jetë i ndërmjetësuar dhe i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka Prishtina tashmë një platformë të gatshme për bisedime?

Zakonisht në teorinë e dialogimeve para se të vendoset një agjendë, është ajo faza e marrëveshjes për agjendën, por ne kemi të qartë qasjen tonë se jemi të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me shtetet fqinje, po në këtë rrafsh me Serbinë platforma jonë është e qartë, ne jemi të gatshëm për të biseduar për çështje praktike, të cilat janë në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve këtu në Kosovë, por edhe në rajon.

A mund të bëheni me konkrete zonja zvkryeministre, cilat janë ato çështje që mund të diskutohen me palën serbe që janë në interes të të dyja vendeve?

Ne e dimë që nga përfundimi i luftës që ka disa çështje, të cilat kërkojnë zgjidhje, për shembull çështja e të zhdukurve, lëvizja e lirë, doganat etj. Është veriu një nga çështjet që mund të negociohet me Beogradin në këto bisedime?

Kosova tashmë është një shtet sovran, i pavarur, me integritet territorial, çështja e statusit për neve është çështje e mbyllur, por poashtu edhe për aleatët dhe të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën, tashme kemi 75 njohje në mesin e të cilave edhe fuqitë e mëdha si SHBA-ja, shumica e vendeve të BE-së, G 20-tës dhe rajonit. Ky kapitull ka përfunduar, Kosova po ndërton shtetin e saj, por në kuadër të ndërtimit dhe zhvillimit ne jemi të gatshëm edhe për dialog dhe bashkëpunim sepse jemi të përkushtuar edhe për integrimet euroatlantike dhe në këtë kuadër, dialogu me shtetet fqinje është një vlerë evropiane dhe perëndimore.

Zonja zvkryeministre, pra po më thoni që nuk do të diskutohet me Beogradin çështja e veriut, ku institucionet e Kosovës nuk po arrijnë që ta shtrijnë pushtetin as 12 vjet pas luftës dhe tre vjet pas pavarësisë?

Jo, për çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin e Kosovës, ato i takojnë institucioneve legjitime të Kosovës që janë sovrane dhe ky sovranitet buron nga vota e vullnetit të popullit. Me shtetin fqinj, Serbinë, do të bisedojmë si dy shtete të pavarura ku çështjet që mund të zgjidhen dhe kanë natyrë teknike sigurisht që gjithmonë do t’i bisedojmë. Çështjet e pavarësisë dhe sovranitetit janë çështje tonat, sepse sovraniteti buron nga populli dhe njohjet e fuqishme ndërkombëtare kanë mbyllur këtë kapitull. Pra dialogu do të jetë me karakter teknik dhe ne si shtet që po shprehim gatishmërinë të bisedojmë, do ta kemi këtë qëndrim.

Cili është propozimi i Prishtinës për temën e parë të bisedimeve? Cila është çështja që ju doni ta ngritni fillimisht në bisedime dhe kur sipas jush është koha e përshtatshme për të nisur ky dialog?

Edhe një herë dua t'ju siguroj se qeveria e Kosovës por edhe unë si udhëheqëse e këtyre bisedimeve do të jemi konstruktiv, do të shkojmë me ide konstruktive dhe creative, ndërsa për sa i takon çështjeve, unë i përmenda disa sosh. Për t’i vënë në agjendë ato, duhet pajtueshmëria e tri palëve, Prishtinës, Beogradit dhe palës së tretë, në këtë rast BE-së dhe SHBA-ve, kështu që pasi të përfundojë faza e konsultave paraprake, do të kemi një agjendë për të cilën do t’ju njoftojmë.

BBC

KOMENTE