English

“Rëndohet klima politike në Maqedoni”

Londër, 25 shkurt, NOA - Javorja britanike “The Economist” shkruan për klimën e rënduar politike në Maqedoni, e ndjekur siç thuhet me skandale, tensione dhe turbulenca.

“Nga muaji i kaluar opozita maqedonase, Socialdemokratët që po bojkotojnë Parlamentin, kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Por paramendoni befasinë kur kryeministri Nikolla Gruevski – një populist, u dakordua për këtë. Matematika e tij është e thjeshtë që ai të fitojë zgjedhjet. Socialdemokratët menjëherë pas kësaj u lëkundën nga binarët. Ata akuzojnë se kushtet nuk janë të mira për zgjedhje të parakohshme para qershorit”, kështu fillon analizën javorja prestigjioze “The Economist”.

Sipas saj, anketat e realizuara në Maqedoni janë të pabesueshme, dhe se shumica e tyre sugjerojnë se Gruevski është shumë më i popullarizuar nga kundërshtari i tij opozitar, Branko Cërvenkovski.

“Papunësia është e lartë, ndërsa kontesti i emrit vazhdon të mos zgjidhet, që shkaktoi bllokimin e procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Mundet që këto probleme të shkojnë në favor të opozitës. Por, Cërvenkovski ka qenë dy herë kryeministër dhe njëherë president. Ai nuk i zgjidhi këto punë që atëherë, ndërsa tani ai duket i lodhur”, qëndron në analizë.

“The Economist” shkruan edhe për incidentin në Kalanë e Shkupit, që u nxit nga ndërtimi i një muzeu-kishë, një projekt fatkeq për komunitetin shqiptar në vend.

“Qeveria premtoi se do të ndërpresë ndërtimin. Punëtorët shkuan fshehtas natën për të punuar, ndërsa shqiptarët për ta rrënuar. Askush nuk dëshiron përtëritjen e konfliktit, 10 vite pasi që guerilët e Ahmetit për pak të fusin vendin në luftë. Por problemet nuk do të shmangen vetvetiu”, shkruan revista britanike.

Ajo analizon edhe situatën pas ndërhyrjes në televizionin A1, ku burime qeveritare kanë theksuar se pronari i arrestuar nuk ka paguar tatime ndaj shtetit, ndërsa një eksperte maqedonase, Sllagjana Taseva ka nënvizuar se mospagesa e tatimeve është përditshmëri, mirëpo sulmi ndaj TV A1 është nënshtrim dhe sulm ndaj medias së pavarur.

NOA/INA

KOMENTE