English

Steinberg nis takimet, Presidenti Topi stacioni i parë

Tiranë, 25 shkurt 2011, NOA- Pak minuta më parë ka nisur takimi mes kreut të shtetit Bamir Topi dhe Zv.sekretarit Amerikan të Shtetit, James Steinberg.

Në këto takime Steinberg është shoqëruar nga Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën, Tomas Kantriman.

Kantriman ditën e djeshme zhvilloi disa takime me përfaqësues të politikës shqiptare, duke i përgatitur kështu terrenin shefit të tij.

Ky takim mësohet se do të fokusohet rreth zgjidhjes së situatës politike në të cilën është përfshirë Shqipëria që pas demonstratës së 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë shqiptar.

Ndonëse ky takim do të jetë i mbyllur për mediat, një tjetër i tillë pritet të mbahet rreth orës 10.30 mes Steinberg dhe Kryeministrit Berisha në ambientet e Kryeministrisë.

Më pas takimet do të vijojnë me kreun e opozitës, Edi Rama dhe kryeprokuroren e vendit, Ina Rama.

Vetëm në përfundim të të gjitha takimeve dhe Zv.sekretari Amerikan i Shtetit, James Steinberg do të mbajë një konferencë për shtyp, jo më në ambientete e ambasadës së SHBA-ve ashtu sikurse ishte lajmëruar, por në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas.

a.y/NOA

KOMENTE