English

PS: Turp nëse Basha është kandidat për Tiranën

Tiranë, 27 shkurt, NOA – Jo zyrtarisht, partitë politike kanë nisur fushatën për zgjedhjet vendore. Pas daljes së sotme të ministrit të Brendshëm në prezantimin e projektit për survejimin me kamera në Tiranë, nuk ka munguar dhe reagimi i Partisë Socialiste.

Një reagim, që nuk synon vetëm kritika ndaj ministrit të Brendshëm për dikasterin që drejton, por edhe si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës.

“Thuhet se Luli do kandidojë për Bashkinë e Tiranës. Në qoftë i vërtetë ky turp, atëherë ky do të ishte rasti më i shkëlqyer për kryeqytetasit që të dënojnë me një votë dërrmuese Saliun dhe koalicionin e turpit që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë!”, tha sot në një konferencë për mediat anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa.

Në deklaratën e saj, ajo akuzoi Bashën për vrasjet e 21 janarit dhe korrupsionin që ka sot në vend. Sipas saj Basaha duhet të përballet më parë më drejtësinë. “Ministri që duhet të shkojë para gjyqit për vrasjet e 21 janarit dhe që mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për manipulimet me shifrat dramatike të kriminalitetit në vend, foli sot për video survejimin e Tiranës, ndërkohë që Tirana dhe e gjithë Shqipëria kërkojnë largimin e tij, të Saliut dhe të krejt koalicionit të turpit pasi e kanë parë në video kusarinë e tyre të pashoqe”, tha ajo.

Sipas saj “Lul Basha jo vetëm është një ministër në kërkim për vrasje e vjedhje për llogari të regjimit vrastar të kusarisë, po është edhe ministri më i dështuar në krye të policisë që është kthyer në kohët e zymta të keqpërdorimit politik”.

a.k.NOA

KOMENTE