English

Kush e degjeneroi në blu simbolin kombëtar shqiptar?!

Tiranë, 28 shkurt 2011, NOA - Nëse qeveritarët e sotëm mendojnë se në BE shkohet edhe me deformime të tilla skandaloze, të jenë të bindur se gënjejnë veten, sepse Evropa nuk është aq e pa qytetëruar sa të duroj e gëlltis servilizma të tilla neveritëse….

Nga Av. Idajet Beqiri

Të gjithëve na ka rastisur të jemi jashtë vendit, në një shtet tjetër të botës. Nuk ka kënaqësi më të madhe, e madje krenari më të madhe, që të mbush vërtetë shpirtin, kur sheh nje autoveturë me targa të Shqipërisë. Në krahun e majtë të targës së automjeteve të vendit tonë, ose më mirë, në krahun e zemrës, është stampuar simboli ynë kombëtar, flamuri kuq e zi, dhe posht saj është stampuar “AL” (Albania).

Kam një nip të vogël, që jeton në Bruksel të Belgjikës, djalin e vajzës time, i cili quhet Elion. Ai tashmë është 8 vjeç. Elioni ka lindur në Bruksel. Madje edhe babai i tij, që është me origjinë nga Dibra, ka lindur në Bruksel. Kur Elioni dhe prindërit e tij dalin shëtitje në rrugët e Brukselit, në se shohin një automjet me targa të një prej qyteteve të vendit tonë, të parën gjë që dallon në targë është simboli ynë kombëtar, fushën e kuqe të flamurit, shqiponjën e zezë dy krenare dhe “AL” në fund të saj. Dhe i ngazëllyer thërret me tërë forcën e shpirtit të tij të vogël: “Shqipëri e gjyshit”, “Shqipëri e gjyshit”!

E sa mijëra e mijra fëmijë dhe të rritur të tjerë, të kudo gjendur në botë “ngopen” shpirtërisht e u bëhet zemra mal kur shohin simbolin e bukur kombëtar në targat e automjeteve të Shqipërisë, vendit të tyre të origjinës. Në fund të fundit ky simbol na identifikon, por edhe na krenaron si shqiptar.

Disa ditë më parë, në ekranet e televizioneve të vendit tonë, doli një zëdhënëse e Ministrisë së Olldashit dhe bëri një komunikim. Ajo na vuri në dijeni se targat e autoveturave të Shqipërisë janë bërë të reja dhe do të ndërrohen.

Tashmë, rrugëve të atdheut tonë, ndeshesh me automjete që kanë vendosur këto targa të reja identifikuese. Çfarë vërejmë në to? Simboli ynë kombëtar, domethënë fusha e kuqe, me shqiponjën dykrenare në mes të saj janë shndërruar. Fusha e kuqe është bërë blu, ndërsa shqiponja e zeze dy krenare është bërë e bardhë! Edhe në krahun e djathtë të targës është vendosur gjithashtu një fushë blu. Kjo targë e re, e cila do na jepet me detyrim, është thuajse një kopje e imituar e targave të automjeteve të Francës. Të mos harrojmë që Franca në flamurin e saj kombëtar ngjyrën blu e ka simbolikën e saj, ashtu siç kemi ne shqiptarët simbolikën kuq e zi.

Pse degjeneroi në blu simboli ynë kombëtar në targat e automjeteve të vendit tonë?

Ata që e kanë bërë këtë mizori thonë se një gjë të tillë e kanë bërë për t’i paraprirë hyrjes në BE, sepse bluja është simbolika e Evropës! Është e vërtetë se në të gjitha targat e automjeteve të vendeve të BE, në krahun e majtë të targës është vendosur simboli i BE, një fushë blu, me 12 yje, poshtë, të cilit janë vendosur edhe inicialet e çdo shteti të BE-së. Por as njëri prej vendeve anëtare të BE nuk i kanë shndërruar simbolet e tyre kombëtare dhe ngjyrat e tyre, duke i bërë blu!

Një veprim i tillë nuk duhet të ishte bërë, e madje, duhet të koregjohet urgjentisht, sepse dashur pa dashur me këtë veprim është shkelur rëndë Kushtetuta e Shqipërisë, e cila i ka të përcaktuara qartë format, formatin dhe ngjyrat e simbolit kombëtar, edhe sepse: E para, Shqipëria nuk është vend i BE. Kemi 20 vjet që që çirremi e gërthasim “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Shqipëria në BE”, por me politikat konfliktuale, mediokre dhe neveritëse që kemi ndjekut dhe vazhdojmë të ndjekim, për shkak të sundimit në vend të një klase politike plotësisht të pa aftë dhe të papërgjegjshme, ëndrrën shqiptare të Evropës e kemi çuar shumë larg në stepat e bizantizmit. Duke mos qenë Shqipëria anëtare e BE, nuk ka të drejtë të përvetësojë simbolet e saj.

E dyta, në se “mëndjendrituri në Ministrinë e Transporteve”, apo diku gjetk, ka menduar se qeverisja e sotme «u paraprinë gjërave», duhet të shihnin me vëmëndje gjithë elementet politik, juridik dhe grafik të simbolit që ka llangosur me blu në targat e automjeteve të Shqipërisë. Gjysma e së keqes do të ishte që të vendosnin në mes të fushës blu të targës simbolin e BE me 12 yje. Por kurrën e kurrës nuk duhet të deformojnë simbolin kombëtar shqiptar, që është kuq e zi, duke e shndërruar në blu e të bardhë.

Nëse një gjë të tillë, domethënë që të vendosnin në mes të fushës blu të targës simbolin e BE me 12 yje, nuk e bëjnë dot, sepse nuk i lejonë Evropa të “vjedhin” anëtarësinë e saj, pa e merituar atë “de fakto” dhe “de jure” me reforma të thella, athere të mos e lëvizin grafikën e krahut të majtë të targave të automjeteve të Shqipërisë, por të mbetet e bukur, ashtu siç është, kuq e zi, dhe në krahun e djathtë, le të vendoset fusha blu për t’i bërë “qejfin” Evropës!

Franca, apo të gjitha vendet e BE, vërtetë që kanë vendosur në targat e automjeteve të vendit të tyre flamurin e BE, por nuk i kanë lejuar vetes maskaradën që kanë bërë “blutë” e Shqipërisë! Këto vende nuk i kanë ndryshuar as figurat dhe as ngjyrat e simboleve të tyre! Kanë vendosur në targat e automjeteve thjesht dhe vetëm simbolin e BE, dhe në fund të tij, kanë shënuar inicialet e shtetit të tyre.

Nëse qeveritarët e sotëm mendojnë se në BE shkohet edhe me deformime të tilla skandaloze, të jenë të bindur se gënjejnë veten, sepse Evropa nuk është aq e pa qytetëruar sa të duroj e gëlltis servilizma të tilla neveritëse.

Simboli kombëtar është i shenjt. Shenjtëria e tij është fiksuar në ligjin themeltar të shtetit, në Kushtetutën e Shqipërisë. Deformimi i tij ështe krimi dhe fyerja më e rëndë që i bëhet kombit shqiptar dhe popullit të tij. Simboli i Partisë nuk mund të zëvëndesoi kurrë simbolin kombëtar. Flamuri kombëtar shqiptar nuk e ka patur kurrë blu ngjyrën e tij, ashtu sikurse nuk e ka patur kurrë të bardhë shqiponjën në mesin e tij! Ngjyrën blu në simbolet e saj e kanë Greqia, Serbia, Rusia e madje edhe Franca, por jo Shqipëria.

Pak kohë më parë qeveria i fali Greqisë Detin Jon. U quajt me të drejtë me nëntekst prej Gjykatës Kushtetuese “tradhëti e rëndë kombëtare” një veprim i tillë. Por për fatin tonë të keq, as një prej tradhëtarëve ideator dhe realizator i kësaj tradhëtie nuk mori dënimin e merituar për këtë krim kombëtar.

Dje, del një “llacifllac” në qeveri dhe hedh “në treg” një formular me anën e të cilit u kërkon shqiptarëve të vetdeklarojnë “ me vullnet të lirë” kombësinë, me synimin antishqiptar që ky vend, nga një shtet etnik që ka qënë dhe është denbabaden, të bëhet multietnik. E nesër të mos ketë më Shqipëri, por vetëm Greqi e Serbi! Askush nuk i vë përballë Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin penal shqiptar këtij “llacifllaci” që “ha bukën e Shqipërisë dhe bënë kryqin e Greqisë”!

Dhe arrihet deri aty, sa për fatin e zi të tij, por edhe të kombit të tij, që Llesh Pali nga një fshat i Pukës, që varfëria e zbriti në Himarë për të jetuar, nën presionin shovinist grek se gjoja “Himara dhe himariotët janë grek”, ndërron kombësinë, duke u bërë “grek”, dhe tashmë ka ndërruar edhe mbiemrin, pasi nuk quhet më Llesh Pali, por Llesh Palikari!

Më tej, ashtu sikurse paraqitëm më sipër, del një “i lajthitur” tjetër i qeverisë dhe n’a shndërron simbolin kombëtare në targat e automjeteve, duke i afruar ato me ngjyrat e Serbisë, Greqisë, e Rusisë.

Këtë tradhëti e “përligjur” me gjoja “të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, dhe ne shqiptarët sodisim, e për më keq, presin maskaradën kombëtare të radhës, në vend që të ngrihemi e të mbrojmë kombin, vendin, popullin dhe simbolet e shenjta kombëtare.

KOMENTE