English

KQZ zëvendëson komisionerët e PS e PBDNJ

Tiranë, 2 mars, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjedhur sot emërimin e kandidatëve të pavarur në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, pas shpalljes së vendeve vakante, si pasoje e bojkotimit të PS dhe PBDNJ në këto komisione.

Duke qenë se dy forcat politike nuk i paraqitën emrat e komisionerëve të tyre brenda afatit të caktuar, KQZ-ja vendosi sot me 4 vota pro që në këto pozicione të vendosen kandidatë të pavarur.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha gjatë mbledhjes së kandidatët e pavarur kanë afat deri në datën 8 mars për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar në KQZ.

Si pasojë e mungesës së PS dhe PBDNJ në KZAZ janë 66 vende komsionerësh bosh. Thirrjes së KQZ-së i janë përgjigjur 127 kandidatë të pavarur, dhe apolitikë. Komisionet zonale zgjedhore duhet të mblidhen më 8 mars ndërkohë që KQZ-ja ka përzgjedhur edhe anëtarët dhe sekretarët e komisioneve zonale zgjedhore.

Ndërkohë tre përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e radhës së komisionit, i cili vazhdon përgatitjet teknike për zgjedhjet lokale të 8 majit.

a.k/NOA

KOMENTE