English

Shtetasit e huaj do të hyjnë me viza në Kosovë

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhje e saj të dytë

Prishtinë, 2 Mars 2011 NOA – Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe ka marrë vendime nga fusha e mandatit të saj kushtetues.

Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për krijimin e grupit punues për vendosjen e regjimit të vizave për udhëtim të shtetasve të huaj në Kosovë. Kjo është edhe një nga kërkesat e Komisionit Evropian për Kosovën.

Grupi punues do të analizojë situatën dhe shtetet me të cilat do të vendoset regjimi i vizave dhe që do të jetë edhe në përputhje edhe me kriteret e vendeve të Bashkimit Evropian.

*** Në hapje të mbledhjes kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se janë në përfundim përgatitjet për fillimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dialogu do të fokusohet në sigurimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve, qarkullimin e mallrave dhe kthimin e dokumenteve të marra gjatë luftës në Kosovë. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe angazhuar në agjendën e saj për të ecur në drejtim të integrimit në strukturat euroatlantike. Republikë e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran dhe do të angazhohet për krijimin e klimës së fqinjësisë së mirë në rajon, që është një nga kriteret në rrugën e integrimit – tha z.Thaçi. Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë në fjalën e tij se në procesin e dialogut me Serbinë do të përfshihen të gjithë aktorët e rëndësishëm në shoqërinë kosovare, duke përfshirë edhe opozitën dhe shoqërinë civile. “Presim që edhe Kuvendi i Kosovës të jap fjalën e vet për dialogun dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet për transparencë të plotë të këtij procesi para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Rregulloren për Departamentet për Integrim dhe Koordinim të Politikave në kuadër të mi9nistrive të Qeverisë së Kosovës. Kjo rregullore përcakton dhe unifikon detyrat dhe mandatet e këtyre departamenteve në kuadër të ministrive. Në mbledhje është miratuar gjithashtu edhe Udhëzimi administrativ për shërbimet sociale në nivelin komunal, si dhe është aprovuar vendimin për Themelimin e Njësisë Koordinuese Ndërkombëtare për zbatimin e ligjit që do të sigurojë koordinimin e punës së agjencioneve të ndryshme për luftën e krimit të organizuar. Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për hartimin e Agjendës Lobuese për njohjen e Republikës së Kosovës dhe vendimin për hartimin e Strategjisë për Politikë të Jashtme të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për Komisionin Qeveritar për Privatizimin e PTK-së. Ky komision, në përputhje edhe me ristrukturimin e disa ministrive në Qeverinë e Kosovës do të përbëhet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, ministri i Infrastrukturës, ministri i Financave, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Forcës së Sigurisë dhe zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi. Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ndaj 40 mijë euro për organizimin e sivjetmë të “Epopesë së UÇK-së”, më 5, 6 dhe 7 mars. Qeveria e Kosovës ka bërë rikategorizimin e pikës së kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë në Stanqiq, nga vendkalim lokal në vendkalim ndërkombëtarë. Ndërtimi i kësaj pike do të financohet nga fondet e Instrumenteve të Paraanëtarësimit. a.b/NOA

KOMENTE