English

Zyra Zvicerane dhe Ministria e Brendshme mbledhin krerët vendor, trajnim për qeverisje efektive

Tiranë, 2 mars 2011, NOA- Ditën e sotme Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Ministria e Brendshme mblodhën së bashku aktorët kyç në decentralizim dhe qeverisje vendore për të shkëmbyer praktikat dhe përvojat e tyre më të mira si dhe mësimet e nxjerra.

Në këtë takim përfaqësuesit e bashkive dhe të komunave janë prezantuar me metodat e reja të planifikimit strategjik, menaxhimit financiar dhe informimit publik.

Të ftuarit special të kësaj konference përfshinin Ambasadoren Zvicerane, Shkëlqesinë e saj, Yvana Enzler, Zv/Ministrin e Brendshëm Ferdinand Poni dhe Drejtorin e Bashkëpunimit Zviceran për Shqipërinë, Daniel Züst.

Ndërkohë që pjesëmarrës të tjerë përfshinin përfaqësues nga njësitë e qeverisjes vendore, bashki dhe komuna, donatorë ndërkombëtarë, ekspertë lokalë dhe organizata të shoqërisë civile.

“Për të bërë të mundur një qeverisje vendore më funksionale, është e rëndësishme të mësosh nga praktikat dhe përvojat e tjera më të mira”, u shpreh Ambasadorja Zvicerane, Yvana Enzler.

“Disa praktika të mira në fushën e decentralizimit mund t’i gjejmë në përvojën zvicerane dhe në vende të tjera gjithashtu. Po ajo çfarë është më rëndësishmja sot, dhe ajo për çka jemi sot këtu, është të promovojmë praktikat dhe përvojat më të mira të arritura këtu, në Shqipëri,” theksoi ambasadorja Enzler.

Ajo shtoi gjithashtu se, në mënyrë që Shqipëria të bëjë progres drejt një demokracie të maturuar, është shumë e rëndësishme të ketë njësi të qeverisjes vendore të decentralizuara dhe të fuqizuara, të tilla si bashkitë dhe komunat.

Në fjalimin e tij, Zv/Ministri i Brendshëm Ferdinand Poni, duke përmendur arritjet e mëdha në fushën e Decentralizimit nga ana e qeverise shqiptare, theksoi se reforma decentralizuese dhe konsolidimi i qeverisjes në nivel lokal synon të ofrojë shërbime gjithnjë e më të mira për qytetarët, të përmirësojë qeverisjen në nivel vendor.

Më tej Poni nënvizoi rëndësinë gjithnjë në rritje të rolit të të zgjedhurve vendore në integrimin Europian dhe në këtë kontekst evidentoi rolin mjaft të madh të bashkëpunimeve me partnerë të huaj në këtë proces të sukseshëm.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e praktikave të suksesshme dhe shpërndarjes se tyre në vend për vazhdimin e procesit të decentralizimit.

Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Shqipëri i ka dhënë prioritet në axhendën e saj, mbështetjes së proceseve për decentralizim dhe zhvillim rajonal për periudhën 2010-2013.

Qeveria Zvicerane po financon një Program për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal, që po zbatohet në Qarqet Shkodër dhe Lezhë nga Zyra e Intercooperation.

Ky program ka si qëllim të zgjerojë ndikimin e tij në nivel kombëtar duke shtruar çështje të rëndësishme për decentralizimin në diskutim kombëtar.

Ky takim u zhvillua në kuadër të mbështetjes zvicerane për procesin e decentralizimit dhe fuqizimin e njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri.

a.y/NOA

KOMENTE