English

Basha: Brenda 3 muajsh edhe gjobat elektronike

Tiranë, 4 mars 2011, NOA- (Update) Ministri i Brendshëm Lulzim Basha përuroi sot Sallën e re të Kontrollit të Trafikut Rrugor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Salla Operative e Kontrollit Rrugor zotëron tashmë një sistem modern online të kontrollit rrugor, lidhjen e drejtpërdrejtë me njësitë e policisë së qarkullimit rrugor në terren dhe përcjelljen online të të dhënave për automjet që kryejnë shkelje të rregullave të qarkullimit ose kanë detyrime të pashlyera si dhe fiksimin e pamjeve të aksidenteve nëpërmjet pajisjeve SCOUT.

Ky sistem nuk njeh vip, as të fortë,-theksoi Ministri Basha,- qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe nuk ka asnjë mundësi që të ndërhyhet dhe të manipulohet sistemi pa u zbuluar dhe u ndëshkuar ata që do të guxonin të ndërmerrnin këtë.

Duke e vlerësuar funksionimin e këtij sistemi si një hap domethënës modernizues për kontrollin e trafikut rrugor, Ministri Basha premtoi mbështetje të menjëhershme për dyfishimin e kapaciteteve të tij.

“Brenda marsit me fondet e alokuara nga Ministria e Brendshme, do të arrini të dyfishoni këto kapacitete duke arritur ata parametra të barabarta me vende fqinje anëtare të BE”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Duke nënvizuar se Policia do të luajë gjithmonë e më mirë rolin e saj për problemin e trafikut dhe të sigurisë rrugore, Ministri Basha kritikoi pushtetin vendor për papërgjegjshmërinë, neglizhencën, deri edhe mospërfilljen e interesave të qytetarëve siç ka ndodhur në Tiranë.

Basha vijoi më tej duke thënë se, “Problemi i trafikut rrugor, problemi i pasigurisë rrugore, është një problem për të cilin Policia do të luajë gjithmonë e më mirë rolin e saj, por që nuk mund të kompensojë asnjëherë as neglizhencën, as papërgjegjshmërinë e enteve pronare, në rastin e qyteteve të pushtetit vendor apo mospërfilljen totale të interesave të qytetarëve siç është rasti këtu në Tiranë ku prej më shumë se një viti jo vetëm qendra, por pjesë të rëndësishme të qytetit janë kthyer në një makth të vërtetë për qytetarët qoftë për sa i përket kohës që humbasin në trafik, durimit, shpenzimeve të karburantit, ajrit të pistë që thithin etj”.

Ministri i Brendshëm deklaroi në këtë përurim vendosmërinë dhe përkushtimin Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të lehtësuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve me trafikun rrugor dhe rritjen e mëtejshme të sigurisë rrugore.

Ky sistem ndërlidhet edhe me sistemet e tjera të të dhënave të Policisë së Shtetit duke mundësuar edhe verifikimin dhe identifikimin e makinave të vjedhura.

Mësohet se brenda tre muajsh ky sistem do të ndërlidhet edhe me sistemin gjobave elektronike, çka do të mundësojë verifikimin e menjëhershëm të detyrimeve të pashlyera dhe vendosjen e gjobës në mënyrë elektronike.

“Ky proces i pandalshëm modernizimi bazohet në filozofinë e qeverisë për ngushtimin sa më të madh të hapësirave për abuzivizëm në kontaktin midis administratës dhe qytetarit, në këtë rast midis policisë dhe qytetarit dhe për zbatimin rigoroz të ligjit”,-tha ministri Basha.

Sipas tij, funksionimi i këtij sistemi do të sjellë përmirësimin e sigurisë në rrugë, një ulje të numrit të aksidenteve dhe një raport korrekt mes oficerëve dhe qytetarëve.

a.y/NOA

KOMENTE