English

Deputetet e PS: Në 8 Mars gratë kundër regjimit vrastar

Tiranë, 4 mars 2011, NOA- Deputetet e Partisë Socialiste kanë zhvilluar edhe sot lajmërimet për protestën e 8 Marsit në kryeqytet.

Në Tiranë deputetet Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni komunikuan me gratë, arsyet pse ato duhet të protestojnë kundër Sali Berishës, nën sloganin “Gratë sot më shumë se kurrë”.

Deputetja Hysi tha se është faji i Saliut që gratë vuajnë varfërinë ekstreme dhe papunësinë, faji i Saliut që gjuha e pushtetit ka degraduar në gjuhën e urrejtjes. Gjithashtu Hysi shtoi se në 8 mars gratë do të protestojnë për gjuhën e urrejtjes, për papunësinë, për çmimet e rritura.

Ndërsa deputetja Gjermeni u shpreh se është faji i Saliut që nënat shqiptare janë veshur me të zeza ndërsa fëmijët kanë mbetur jetime, faji i Saliut që 26 shqiptarë të ndershëm humbën jetën në Gërdec, që 4 heronj u vranë nga Garda e Republikës në 21 janar.

Duke shpërndarë ftesat deputetja Gjermeni theksoi se gratë do të dalin të gjitha të protestojnë për të drejtat e tyre, ditën e martë në ora 11.00 para kryeministrisë.

Sipas deputeteve socialiste, për të gjitha padrejtësitë që po i bëhen këtij vendi nga ky regjim vrastar dhe të korruptuar në 8 Mars gratë do të protestojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 11, paqësisht kundër Sali Berishës, për një Shqipëri dhe një të ardhme më të mirë.

a.y/NOA

KOMENTE