English

Thaçi- Lammbsdorff: Dialogu Kosovë-Serbi, perspektiva euro-atlantike e vendit

Prishtinë, 4 mars 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim drejtorin për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Nicolaus Graf Lammbsdorff. Mësohet se tema kryesore të takimit ishte gjendja politike në vend, pas formimit të institucioneve të reja, dialogu teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe perspektiva euro-atlantike e Kosovës. Kryeministri Thaçi shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë në të gjitha periudhat dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të fuqizohen në të gjitha aspektet. Duke folur lidhur me përgatitjet për fillimin e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Thaçi shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e këtij dialogu teknik, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy shteteve, i bindur se kjo frymë e bashkëpunimit do ta përmbyllë suksesshëm procesin e integrimeve Europiane të të gjitha vendeve të rajonit. Nga ana e tij, drejtori për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Nicolaus Graf Lammbsdorff ka uruar kryeministrin Thaçi për rizgjedhjen e tij në postin e kryeministrit dhe formimin e institucioneve te reja të Republikës së Kosovës, dhe ka shprehur besimin e plotë në vizionin dhe punën efikase të Qeverisë së Kosovës për implementimin e të gjitha standardeve të integrimit dhe zhvillimit.

Gjatë takimit Lammbsdorff ritheksoi mbështetjen e qeverisë Gjermane për fillimin e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, si një nga faktorët determinues për të dyja vendet për perspektivën Europiane.

a.y/NOA

KOMENTE