English

Ruçi letër diplomatëve: Ndihmë, po asfiksohet opozita

Tiranë, 5 mars 2011, NOA- Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër Bashkimit Europian, ambasadorit Amerikan dhe gjithë trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Ruçi shkruan në letër, “Do të doja t’ju informoja në lidhje me zhvillimet e fundit në Kuvend, të cilat kanë për qëllim të asfiksojnë rolin e opozitës duke dobësuar në të njëjtën kohë mekanizmat kushtetuese të kontrollit mbi qeverinë”.

Më tej letra vijon: “Në 24 shkurt 2011, mazhoranca qeverisëse në mënyrë të njëanshme ndryshoi Rregulloren e Kuvendit për herë të pestë brenda këtij legjislacioni. Sipas amendimeve të fundit, masat disiplinore kundër Anëtarëve të Kuvendit që i përkasin opozitës janë bërë më të ashpra. Në vend që të krijojnë një mjedis politik realisht gjithëpërfshirës, çka është një parakusht për funksionimin demokratik të Kuvendit, mazhoranca qeverisëse po ndjek një rrugë që konsiston në marrjen e masave represive kundër opozitës”.

Sipas Ruçit është pikërisht kjo arsyeja, që dialogu politik është përkeqësuar edhe më tej, duke u bërë tejet konfrontues dhe jo produktiv si pasojë e retorikës provokuese të Kryeministrit dhe abuzimit me detyrën nga ana e Kryetares së Kuvendit, në veçanti përmes ndërprerjes së debateve mbi projektligjet dhe imponimit të vendimeve të njëanshme në konferencën e kryetarëve.

“Sesioni plenar i 3 marsit 2011 përbën një dëshmi të gjallë të situatës dramatike në Kuvend. Në këtë seancë Kryetarja e Kuvendit në mënyrë publike kërkoi përjashtimin e deputetit Taulant Balla sepse ai po i zbulonte publikut aferat korruptive ku janë përfshirë pjesëtarët e qeverisë, përfshirë dhe Kryeministrin. Për më tepër, Kryetarja e Kuvendit vendosi të ndërpresë debatin parlamentar në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, shkruan kryetari i grupit parlamentar socialist.

Ai vë në dijeni diplomatët ndërkombëtar për faktin se, në reagim ndaj konkluzioneve dhe dymbëdhjetë prioriteteve të parashtruara nga Komisioni Europian në Opinionin mbi Shqipërinë, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në fund të vitit që shkoi, paraqiti një rezolutë ku merrej parasysh përmbushja e dymbëdhjetë prioriteteve të cilat ndër të tjera përfshijnë një reformë të thellë parlamentare si dhe reforma që do të sillnin përfitime të prekshme për qytetarët, por sipas Ruçit, për fat të keq, mazhoranca qeverisëse e refuzoi rezolutën.

Ai e mbyll letrën me apelin ndaj partnerëve ndërkombëtarë që të marrin në konsideratë faktet e përmendura të cilat, sipas kreut kuvendor socialist po dëmtojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengojnë reformat e rëndësishme, që nevojiten për progresin e vendit në rrugën drejt integrimit Europian dhe vendosjes së shtetit ligjor.

a.y/NOA

KOMENTE