English

Thaçi: Sakrifica heroike hapi rrugën për ndërtimin e shtetit

Prishtinë, 6 mars 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ditën e sotme ka bërë homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari.

Ky homazh u bë me rastin e shënimit të përvjetorit të “Epopesë së UÇK-së” në Prekaz.

Gjatë fjalës së tij për mediat Thaçi tha: “Sot, është kjo një ditë e bashkimit, afrimit, respektit për të kaluarën dhe marrjes së energjive për të ardhmen. Prandaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot bëmë nderimet shtetërore më të larta për Komandantin Legjendar Adem Jashari”.

Ai shtoi më tej se mbi trupat e dëshmorëve u fitua liria dhe pavarësia, dhe theksoi se po ndërtohet shteti në rrugë të sigurt për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Ndër të tjera ai veçoi faktin se, “Në trembëdhjetë vjetorin e rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Kosova është në rrugë të mbarë, të suksesit, është një garanci e plotë për të ardhmen e saj euroatlantike, gjithë ky vullnet i qytetarëve të Kosovës për ndryshime edhe më të fuqishme, por edhe për të implementuar vizionin euroatlantik”.

a.y/NOA

KOMENTE