English

PS: Shqiptarët nuk e votojnë më kurrë Saliun

Tiranë, 7 mars 2011, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla reagoi sot ndaj premtimeve të kryeministrit për projektin e ri rrugor Lushnje-Berat dhe bypassin e Shkodrës duke ritheksuar se kryeministri Berisha dhe qeveria e tij janë të krimbur kokë e këmbë nga korrupsioni. Deputeti Balla e akuzoi kryeministrin Berisha se vrau katër qytetarë të pafajshëm në 21 janar vetëm e vetëm që të vazhdojë të vjedhë.

“Sali Berisha nuk është më Kryeministri i shqiptarëve, por vetëm Kryeministri i Ilirit që vjedh me bllok në dorë, i Lulit që vret me pushkët e Gardës Republikane, i Majlindës të lidhur me mafian italiane, i Imamit dhe Rulit që po privatizojnë në mënyrën më korruptive plot 1280 prona publike”, theksoi deputeti socialist.

Ai tha ndër të tjera se “Saliu nuk mund të flasë më për projekte që shmangin përmbytjet në Shkodër, pasi është vetëm faji i Saliut që veriu i vendit përmbytet nga 5 herë në vit, çdo vit rresht”.

Sipas Ballës kryeministri Berisha nuk mund të flasë më për rritje rrogash e pensionesh, pasi është vetëm faji i tij pse sot në Shqipëri numërohen plot 1 milion të papunë dhe varfëria është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare.

Deputeti i PS-së nënvizoi se me gjithë premtimet e tij, shqiptarët nuk e besojnë më kurrë Sali Berishën dhe nuk do ta votojnë më atë.

mit/NOA

KOMENTE