English

Rasmussen e D’Alema: Jo armë ndaj njerëzve

Athinë, 7 mars 2011, NOA - Presidenti i Partive Socialiste Europiane Poul Nyrup Rasmussen dhe ish-kryeministri italian Massimo D’Alema në një konferencë për shtyp gjatë punimeve të Samitit të lartë të të majtës europiane i zhvilluar në kryeqytetin grek Athinë kanë shprehur shqetësimin serioz lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Dy politikanët e të majtës evropiane kritikuan kryeministrin Berisha për sjelljet e tij të përsëritura autoritare.

Ata nënvizuan faktin se me demokracinë nuk mund të bëhet kompromis dhe se nuk mund të qëllohet me armë ndaj protestuesve.

Vetë Presidenti i PES,Poul Nyrup Rasmussen deklaroi se “Besoj që është shumë e rëndësishme të mos bëhet kompromis me demokracinë dhe të insistohet që të largohen nga shoqëria, nga çdo shoqëri, duke përfshirë Shqipërinë, fenomene si korrupsioni dhe përdorimi i dhunës së armëve kundër njerëzve që duan të protestojnë paqësisht”.

Rasmussen bëri me dije se ishte informuar rreth situatës në Shqipëri nga lideri i opozitës shqiptare Edi Rama, për të cilën Rasmussen shprehu shqetësimin e tij.

Ndërsa kreu i PDI, Massimo D’Alema gjatë konferencës për shtyp shprehu solidaritetin e tij ndaj kryesocialistit Rama.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën në Shqipëri, jo vetëm për korrupsionin, por në të njëjtën kohë për sjelljen autoritare të Kryeministrit Berisha, çka fatkeqësisht është e përsëritur, ne kemi një histori të gjatë me Shqipërinë, si italianë mbi këto çështje, nuk është hera e parë”, tha D’Alema.

D’Alema duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 8 majit i bëri thirrje Europës të ushtrojë presion mbi qeverinë shqiptare në mënyrë që të garantohen zgjedhje të drejta.

“Mendoj se duhet të përfshijmë institucionet Europiane, sepse Shqipëria është një vend kandidat dhe unë mendoj se Europa duhet të garantojë vlerat Europiane në Shqipëri, ky është qëndrimi ynë”, nënvizoi ish-kryeministri italian Massimo D’Alema.

mit/NOA

KOMENTE