English

Thaçi: Nga bisedimet, Kosova përfiton njohjet e pesë vendeve të BE-së

Prishtinë, 7 mars 2011, NOA Update – Gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, një seancë kushtuar nisjes së bisedimeve me Serbinë në Bruksel në 8 mars, dhe ku u debatua fort lidhur me nisjen e bisedimeve, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është hap i vendit drejt integrimeve evropiane. Thaçi bëri me dije se për herë të parë në historinë politike të vendit përfaqësuesit e Kosovës do të mund të ulen të barabartë dhe të bisedojnë me përfaqësuesit e Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Ai theksoi se ka ardhur koha që mospajtimet dhe çështjet e caktuara të diskutohen dhe të zgjidhen në mënyrë të barabartë.

Kryeministri Thaçi nënvizoi se kjo çështje është e pashmangshme dhe urgjente, duke filluar sikundër u shpreh ai nga çështja e të zhdukurve e deri tek dokumentacioni i konfiskuar nga ana e vendit fqinj.

“Dialogu teknik me Serbinë do të ketë synim të vetëm normalizimin dhe synimin e raporteve tona ndërshtetërore”, theksoi kryeministri Thaçi, duke sqaruar më tej se ky dialog çon drejt BE-së, si dhe përshpejton liberalizimin e vizave.

Më tej kryeministri i Kosovës, tha se Kuvendi i Kosovës do të informohet rregullisht lidhur me ecjen e këtij procesi.

Ai tha se ky dialog duhet të na bashkojë të gjithëve dhe kjo sfidë duhet të na ofrojë të gjithëve pa dallime partiake, ideologjikë dhe etnike.

Thaçi kërkoi përkrahjen e deputetëve për të kurorëzuar këtë proces për ardhmërinë e shtetit.

I pyetur nga deputetët përreth bisedimeve kryeministri i Kosovës iu përgjigj se “Kosova nga këto bisedime përfiton një fqinjësi të mirë dhe më pastaj kjo reflekton edhe në njohjet e Kosovës, nga 5 vendet e BE-së, si dhe në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, procesin në integrimin në NATO, integrimin në BE dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara”.

“Ju siguroj të gjithë se Qeveria në asnjë rrethanë nuk do të bisedojë me Serbinë për këto çështje: statusi politik i Republikës së Kosovës, çështjet që ndërlidhen me integritetin territorial të Kosovës dhe çdo diskutim rreth kësaj çështje do të jetë i papranueshëm për institucionet e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Thaçi bëri me dije se disa nga sferat në të cilat do të përqendrohen bisedimet janë dialogu për dëmet e krijuara nga lufta, bashkëpunimi reciprok për gjetjen e personave të zhdukur, kthimi i refugjatëve në pronat e tyre, marrëdhëniet tregtare mes të dyja vendeve, dialogu për çështjet e bashkëpunimit në rajon, tejkalimi i pengesave për lëvizjen e qytetarëve të vendit, njohja e tabelave dhe pasaportave, etj..

Në vijim të këtij debati parlamentar deputetët e Kuvendit të Kosovës paraqiten disa propozime të cilat duhet të vihen në tryezën e këtyre bisedimeve me Serbinë.

Deputetët theksuan se Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria kornizën e bisedimeve dhe formatin e bisedimeve.

Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti theksoi se problemi rreth kësaj çështje qëndron tek agjenda e bisedimeve që po mbahet e fshehtë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Kurtit Kosovës nuk i duhen këto bisedime, madje ai propozoi që të organizohet një referendum gjithëpopullor.

Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës u propozua nga deputetët se Kosova duhet të kërkojë datën e liberalizimit të vizave, sepse kriteret për këtë arritje janë plotësuar, si dhe të zgjidhet problemi i CEFTA-s.

mit/NOA

KOMENTE