English

Meta: Do fitojmë se kërkojmë të zgjidhim problemet e qytetarit

Fushë-Krujë, 9 mars 2011, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta akuzoi kreun e opozitës se po e polarizon qëllimisht situatën politike në vend pasi synon të abuzojë në procesin e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Gjatë takimit me militantë të Fushë-Krujës në kuadër të turit që paraprin fushatën zgjedhore kreu i LSI-së theksoi se “Përpjekja për të polarizuar në ekstrem situatën aktuale përmes nxitjes primitive të agesiviteteve politike që ju e keni parë ne parlament dhe në 21 janar e që e shikoni në gjuhën e helmatisur tregon që nuk duan t`ia dinë për të zgjidhur, por që duan të kthejnë në një situatë të acartë zgjedhjet lokale, një proces elektoral që po bëhet për të përmirësuar qeverisjen vendore”, tha Meta.

Meta e ilustroi këtë polarizim politik edhe me situatën që pasoi ngjarjet e 21 janarit.

Ai theksoi se “Zgjedhjet e 8 majit janë të rëndësishme pasi ato nuk janë për politikanët, por për qytetarët, për çdo komunitet dhe në të gjithë vendin”.

Kryetari i LSI-së nënvizoi fitoren e thellë të koalicionit qeveritar në këto zgjedhje.

Ai e argumentoi fitoren me faktin se LSI ka si prioritet të qeverisjes së saj zgjidhjen e problemeve jetike të qytetarëve, ende të pazgjidhura nga qeveritë aktuale vendore, probleme të tilla si ato të shëndetit, infrastrukturës, mjedisit, kanalizimeve, ujit të pijshëm, administrimit të mbetjeve si dhe shumë probleme sociale.

Meta bëri me dije për mbështetësit e tij se vizioni i LSI-së rrok idenë se duke zgjedhur përfaqësuesit më të mirë të komunitetit do të japë rezultat edhe zgjidhja e problemeve jetike që shqetësojnë banorët e zonave të ndryshme duke u siguruar atyre një cilësi më të mirë jete.

"Do dyfishojmë rezultatin elektoral", theksoi me këmbëngulje Meta.

mit/NOA

KOMENTE