English

Thaçi: Përshëndes negociatat, edhe opozita duhet ti mbështesë ato

Prishtinë, 9 mars 2011, NOA- Kreu i qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi deklaron se opozita duhet ta mbështesë dialogun e nisur mes Kosovës dhe Serbisë.

Pasi përshëndeti fillimin e dialogut me Serbinë ai kërkoi të njëjtën gjë edhe nga partitë e tjera opozitare por edhe nga shoqëria civile.

“Ne duam dhe do të punojmë që të kemi punë të përbashkët, në ekipe të përbashkëta me gjithë spektrin politik, edhe opozitën, edhe shoqërinë civile. Prandaj, ne do të jemi shumë fleksibël për të punuar e bashkëpunuar me të gjithë, për të garantuar sukses”, u shpreh Thaçi.

Më tej Kryeministri i Kosovës theksoi se bisedimet po zhvillohen ndërmjet palëve të barabarta dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Ndërkohë ditën e nesërme parlamenti i Kosovës pritet të miratojë një rezolutë për bisedimet.

Por mes opozitës dhe qeverisë nuk është rënë dakord lidhur me këtë çështje, çka lë ende pa zgjidhje qëndrimin e kundërshtarëve të dialogut mes dy shteteve.

a.y/NOA

KOMENTE