English

KMDLNj institucioneve në Kosovë: Ndërgjegjsohuni për krimet

Prishtinë, 10 mars 2011, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë i ka drejtuar sot një letër të hapur Qeverisë së Kosovës, ICO-s, EULEX-it dhe Shoqërisë Civile të ndërgjegjsohen lidhur me ngjarjet e ndodhura në Kosovë si vrasja e adoleshentit Leutrim Musliu apo edhe Shefko Sallkoviçit, të cilat sipas KMDLNj dëshmon për brishtësinë e institucioneve të Kosovës për t’iu përgjiur rreptësisht këtyre krimeve. “Vrasja e këtyre ditëve e 13-vjeçarit Leutrim Musliu nga fshati Uglar i Gjilanit dhe vrasja e Shefko Sallkoviçit në fshatin Postenjë të Leposaviçit dëshmuan brishtësinë e institucioneve që merren me sigurinë dhe rendin në Kosovë. Këto vrasje gjithashtu dëshmuan ekzistimin e standardeve të dyfishta kur kemi të bëjmë me reagimet publike të institucioneve vendore e sidomos ndërkombëtare si dhe shoqërisë civile”, thuhet në deklaratën e KMDLNj.

Sipas KMDLNj sidomos në këto dy raste Institucionet e Kosovës, ICO, EULEX dhe Shoqëria Civile kanë qenë nën standardin minimal moral të domosdoshëm për reagimet ndaj këtyre krimeve tejet të shëmtuara e të rënda.

Më tej mund të lexoni letrën e plotë që Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë i drejtoi Qeverisë së Kosovës, ICO-s, EULEX-it dhe Shoqërisë Civile.

Të nderuar,

Reagimi publik është një nga format e komunikimit për të tërhequr vëmendjen për problemet e caktuara shoqërore. Gjithashtu, reagimet publike janë shenjë e angazhimit dhe përgjegjësisë publike të institucioneve, grupeve shoqërore dhe individëve me influencë.

Duke shfrytëzuar (manipuluar) rrethanat politike dhe emocionale, reagimet publike janë përdorur me të madhe si mjet presioni për publikun dhe institucionet. Një gjë e tillë ka ndodhur në Kosovë, sidomos pas përfundimit të luftës.

Jemi dëshmitarë kur në reagimet publike të mekanizmave brenda dhe jashtë Kosovës, për ngjarjet e ndodhura në Kosovë është bërë presion mbi qytetarët e saj duke i kërcënuar apo shantazhuar ata, qoftë në mënyrë publike, qoftë edhe të sofistikuar. Kishte edhe shumë raste kur aludohej në përgjegjësi kolektive ndonëse përgjegjësia është ekskluzivisht personale.

Në shumë raste reagimet publike bëheshin nga qendra institucionale pastaj mbështeteshin nga guvernatori ndërkombëtar, zyrat dhe ambasadat e huaja, Brukseli, Uashingtoni e deri te Ban ki Muni, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së. Këto reagime të mbështetura nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare e kishin efektin neutralizues ndaj çdo mendimi dhe qëndrimi ndryshe pavarësisht fakteve.

Kosova është një shembull i mirë studimi, ku nuk ka njëtrajtshmëri në reagimet publike karshi ngjarjeve me rëndësi për publikun.

Në përgjithësi në institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe grupet e shoqërisë civile zbatohen standarde të dyfishta në vlerësimin e ngjarjeve dhe reagimin i cili në të shumtën e rasteve është konformist.

Shembuj të qartë të kësaj janë sulmet, dhuna dhe vrasjet që dyshohet të kenë motive etnike, fetare dhe politike.

Vrasja e këtyre ditëve e fëmiut 13 vjeçar, Leutrim Musliu nga fshati Uglar i Gjilanit dhe vrasja e Shefko Sallkovicit në fshatin Postenje të Leposaviqit dëshmuan brishtësinë e institucioneve që merren me sigurinë dhe rendin në Kosovë. Këto vrasje gjithashtu dëshmuan ekzistimin e standardeve të dyfishta kur kemi të bëjmë me reagimet publike të institucioneve vendore e sidomos ndërkombëtare si dhe shoqërisë civile.

KMDLNj me keqardhje konstaton se sidomos në këto dy raste Institucionet e Kosovës, ICO, EULEX dhe Shoqërisë Civile kanë qenë nën standardin minimal moral të domosdoshëm për reagim.

KMDLNj është dëshmitare e reagimeve shumë të zhurmshme, të ashpra, kërcënuese dhe me tendenca të aludimit apo paragjykime të fajësisë kur kishim të bënin me raste kur si viktima ishin pjesëtarë të komunitetit serb. Zinxhir i reagimeve fillonte në Prishtinë pastaj, sipas një automatizmi reagonin Beogradi, Brukseli dhe Uashingtoni.

Vrasjet, që sipas mënyrës si janë bërë janë ekzekutime klasike të Leutrim Musliu dhe Shefko Sallkoviçit si dhe aktet e tjera të dhunës në veriun e Kosovës janë një sinjal i qartë për institucionet e Kosovës dhe shoqërinë në përgjithësi. Ndërkombëtarët nuk çajnë fort kokën për këtë. Këto akte sipas KMDLNj kanë si qëllim rritjen pasigurisë dhe në vete përmbajnë mesazhe politike.

Vrasja e Leutrim Musliut është krim që do të duhej të prekte ndërgjegjen e çdo njeriu, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare, racore etj. Ky krim për të cilin ka dyshime të bazuara se e kanë kryer serbët e fshatit Pasjan është injoruar plotësisht nga ndërkombëtarët. Institucionet e Kosovës kanë reaguar, disa zyrtarisht, disa për marketing politik dhe disa me një vonesë të pafalshme.

Ky krim shumë i dënueshëm dhe i tmerrshëm është relativizuar për shkak të bisedimeve dhe varri i Leutrimit është përpjekur të mbulohet me “kurorat e buzëqeshjeve” të Borko Stefanoviçit dhe Edita Tahirit! Dhe me cinizmin dhe injorancën e Piter Fejthit.

Me heshtjen e Marrnakut, Sparksit dhe Dellit të cilët reagonin fuqishëm nëse thyhej vetëm një dritare në shtëpinë e një serbi apo ndërkombëtari! Shpenzuesit më të mëdhenj të qirinjve në Kosovë ( një pjesë e shoqërisë civile ), për raste shumë më banale e mbushnin hapësirën para Teatrit Kombëtar në Prishtinë me qirinj të ndezur, në emër të solidarizimit me viktimat anekënd botës dhe gjykimit të krimit, kësaj radhe nuk e panë të arsyeshme ta ndezin edhe një qiri të vetëm për Leutrim Musliun, fëmijën 13 vjeçar që u ekzekutua nga kriminelët në kohën kur ishte i detyruar që për shkak të kushteve të vështira materiale të bënte punë që janë të ndaluara për moshën e tij!

Në Kosovë të drejtat e njeriut zbatohen sipas përkatësisë etnike e jo sipas standardeve ndërkombëtare. Edhe ata që kanë bërë krime trajtohen në bazë të përkatësisë etnike e jo në bazë të përgjegjësisë ligjore. Në të njëjtën mënyrë trajtohen edhe viktimat. Thënia se në Kosovë :” të gjithë janë të barabartë para ligjit “ është thjeshtë slogan mashtrues. Rasti i Leutrim Musliut është argumenti më bindës për këtë. Si dhe qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, një pjese të institucioneve të Kosovës e sidomos i shoqërisë civile!

mit/NOA

KOMENTE