English

PS: Shqiptarët nuk votojnë më kurrë për Saliun

Tiranë, 10 mars, NOA – Anëtarja e Asamblesë së PS-së, Megi Ajtyresa deklaroi sot se qytetarët shqiptarë nuk do t’ja japin më kurrë votën kryeministrit Sali Berisha.

Duke akuzuar kryeministrin për gjithë situatën në të cilën ndodhet vendi, përfaqësuesja e PS-së u shpreh se, “në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët do i japin atij një mesazh të qartë: Kurrë më votë për Saliun. Kurrë më votë për Salinjtë e tjerë. Ka vetëm një rrugë për t’i rikthyer shpresën shqiptarëve e për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza, Partia Socialiste”.

Reagimi i selisë rozë ka ardhur pas deklaratave të sotme të kryeministrit. Ajtyresa u shpreh se kreu i mazhorancës është përgjegjës për situatën e ambientit në vend. “E ka fajin Saliu për të gjithë ndotjen dhe sëmundjet vdekjeprurëse që burojnë nga fabrikat e çimentos, në pronësi të familjarëve Saliut. Dhe mbi të gjitha, e ka fajin Saliu që duke lejuar importin e plehrave po e kthen Shqipërinë në koshin e plehrave të Europës. Kurrë më nuk do e votojnë shqiptarët Saliun. Kurrë më nuk mund t’i besojnë shqiptarët këtij njeriu që bën ekzaktësisht të kundërtën e asaj që premton”, tha Ajtyresa.

Përfaqësuesja e PS-së nuk ka lanë jashtë vëmendjes dhe kandidimin e mundshëm të ministrit Lulzim Basha për garën brenda Tiranës.

“Sipas Saliut një njeri në kërkim nga drejtësia fillimisht si hajdut e së fundmi edhe si vrasës, mund të konkurrojë në garë për Kryeqytetin. Sipas Saliut, një Ministër që iu përgjigj me 4 plumba vdekjeprurës protestuesve që kërkonin punësim e mirëqenie, tani na paska të drejtën të kërkojë edhe votat e kryeqytetasve. Saliu flet për gjelbërim por e ka fajin Saliu dhe askush tjetër që në Shqipëri pyjet janë rrafshuar nga sharrat e Kryekomunarëve demokratë”, tha Ajtyresa.

a.k/NOA

KOMENTE