English

Prokuroria: 11 të arrestuar për naftën “Vergine”, akuzat dhe emrat e të implikuarve

Tiranë, 11 mars 2011, NOA- Prokuroria e Përgjithshme publikon për mediat emrat dhe akuzat për personat e implikuar në aferat korruptive të naftës “Vergine”.

Organi i akuzës e nis deklaratën e tij me përmendjen e fakteve nëpër televizione si dhe me deklarimet e ish-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti.

Në njoftim thuhet se, nga hetimet e zhvilluara deri tani është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007 – 2009, sasi të konsiderueshme te nënproduktit te naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si “Vergine”, është tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum.

Mw tej shtohet se në bazë të verifikimeve paraprake, Njësia e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar me iniciativën e saj procedimin penal për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

“Ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat “Euroil sh.a”, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetwr privat “Fisheku sh.a”, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku. Sasia e nënproduktit të naftës te quajtur “Vergine” është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës “Armo sh.a” dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit. Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar”, thuhet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.

Më tej theksohet se në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e aktivitetit në fjalë.

Duke saktësuar akuzat, Prokuroria bën të ditur edhe masën e marrë ndaj tyre, ku mbi bazën e kërkesës së organit të akuzës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, për shtetasit, Hajri Hajredin Elezaj ; Ilias Isa Fisheku ; Martin Ilias Fisheku ; Bajram Isa Fisheku ; Dashamir Veiz Kasaj; Edmond Kaso Ferraj ; Flamur Rexhep Merkaj ; Vladimir Kilo Koteci ; Gani Llazar Prence ; Reshat Hamza Aleksi ; Kadri Rakip Hajredini.

Sipas Prokurorisë, arrestimi i tyre u bë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, të cilët, së bashku me Njësinë e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vijojnë ndërkohë veprimet e mëtejshme hetimore edhe ndaj personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje.

Shkak për këto arrestime u bënë deklaratat e ish-ministrit Prifti i cili pohoi publikisht të dhëna që kanë të bëjnë me veprime abuzive me detyrën dhe kontrabandë të zhvilluar me naftën e prodhuar nga ana e kompanisë “Armo sh.a”, për periudhën 2007 – 2009.

a.y/NOA

KOMENTE