English

Haxhinasto-Fearn: Të çohet përpara axhenda europiane

Tiranë, 15 mars 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti në takim Drejtorin Politik për Ballkanin në Foreign Office, Daniel Fearn

Nën shoqërinë e ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë , Fiona Mcllëham, zyrtari i lartë britanik, vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

“Aktualisht jemi partnerë në NATO, shpresojmë së shpejti edhe në BE. Bashkëpunimi dypalësh kundër krimit të organizuar dhe për sundimin e ligjit në Shqipëri është forcuar më tej vitet e fundit”, tha gjatë fjalës së tij Fearn.

Në vijim të këtij bashkëpunimi ai theksoi mbështetjen e fuqishme të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin në BE të Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përgjegjësinë e përbashkët të qeverisë dhe opozitës për çuarjen përpara të axhendës evropiane në Shqipëri.

Ndërkohë nga ana e tij ministri Haxhinasto i shprehu Drejtorit Politik për Ballkanin në Foreign Office, Daniel Fearn, mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin europian të Shqipërisë dhe shprehu dëshirën për forcimin më tej të marrëdhënieve në fushën ekonomike.

Në vijim të këtij takimi bashkëbiseduesit vlerësuan se hetimi i plotë i ngjarjes së 21 janarit, zbatimi i rekomandimeve të fundit të Komisioni Evropian për Shqipërinë si dhe zhvillimi me sukses i zgjedhjeve të ardhshme lokale të 8 majit, janë të rëndësishme për vendin tonë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe dialogut Kosovë-Serbi si dhe bashkëpunimit në rajon.

a.y/NOA

KOMENTE