English

Media greke: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, i pashmangshëm

E përditshmja më e madhe greke “Kathimerini” citon Adem Demaçin të bëjë pohimin dhe argumentet që e çojnë në këtë përfundim

Athinë, 15 Mars 2011 NOA - Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën bëhet i pashmangshëm nëse Beogradi zyrtar nuk do të ndryshojë kurs. Kështu paralajmëron Adem Demaçi, një ndër emrat kryesorë të lëvizjeve për të drejtat e njeriut në Kosovë, raporton e përditshmja greke “Kathimerini”.

Gazeta citon z.Demaçi të pohojë se derisa Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj përballë Kosovës duke mos e pranuar atë si shtet më vete, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të mund të bëhet realitet shumë më lehtë.

“Në këtë situatë që Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet, shqiptarët e Kosovës mund të bashkohen lehtësisht me Shqipërinë. Ne nuk mund ta përjashtojmë këtë mundësi, nëse Serbia do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim të njohur ndaj Prishtinës zyrtare”, - ka deklaruar Adem Demaçi, raporton korrespondenti i agjencisë NOA që citon të përditshmen “Kathimerini”.

Kurse pohon faktin se “përkundrejt qëndrimeve të Serbisë, “shqiptarët po tregojnë se janë të organizuar dhe një bashkim kombëtar do të mund të shndërrohej në realitet”.

Duke i bërë jehonë të gjerë deklaratave të z.Demaçi, bërë në Shkup në një manifestim të organizuar me rastin e 30 vjetorit të protestave të studentore në Prishtinë, “Kathimerini” citon edhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë, nuk ishte një dëshirë e shqiptarëve por një imponim nga Bashkimi Evropian.

“Ne nuk kemi asnjë dëshirë dhe asnjë përfitim nga këto bisedime, sepse ato janë imponuar dhe aranxhuar nga BE- dhe OKB. Europianët, i bëjnë lëshime Serbisë sepse janë të interesuar ta tërheqin në BE ngaqë Serbia është një faktor më i rëndësishëm se Kosova”, - ka deklaruar Adem Demaçi.

Ndërsa duke u ndalur në tensionet ndëretnike në Maqedoni (FYROM ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), z.Demaçi tha se ato nxiten nga struktura serbe të instaluara në institucionet e Shkupit, të interesuara të ruajnë armiqësinë me shqiptarët.

n.s./NOA

KOMENTE