English

Rama: Padrejtësia, themeli i qeverisë Berisha

Gërdec, 15 mars 2011, NOA – “Drejtësia në këtë vend do të vonojë, por nuk do të harrojë”, deklaroi lideri i opozitës Edi Rama nga krateri i Gërdecit, ku opozita shqiptare po përkujton trevjetorin e shpërthimit tragjik në Gërdec, ku humbën jetën 26 të pafajshëm dhe u plagosën 300 të tjerë. Shefi i opozitës theksoi se vetëm me betejën e nisur të opozitës mund të ndalim padrejtësinë e qeverisë së kryeministrit Berisha.

Kryesocialisti Rama duke folur nga podiumi në Gërdec akuzoi qeverinë se si themel të vetin ka vetëm padrejtësinë ndaj popullit.

“Të mos harrojmë për ne do të thotë të mos zmbrapsemi as një milimetër nga beteja e nisur për të rivendosur demokracinë e shprehur me votë”, deklaroi zoti Rama.

Ai rikujtoi se “Të mos harrojmë për ne do të thotë të mos ndalemi nga beteja jonë për të larguar qeverinë e koalicionit të turpit, që pasi vodhi votat në 28 qershorin e 2009-ës vrau edhe katër njerëz në bulevard”.

“Të mos harrojmë do të thotë të çlirojmë nga tragjedia e përhershme dhe e heshtur bijtë e këtij kombi”, tha Kryetari i Partisë Socialiste.

“Të kujtohemi orë e çast në rrugën e betejës sonë, se këta njerëz i bashkon fati i thjeshtë se u vranë nga padrejtësia”, tha Rama duke iu referuar rishtas 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit.

“U vra Fatmir Xhindi, miku ynë e askush nuk thotë përse”, solli në vëmendje Rama.

Ai rikujtoi edhe vrasjen e Remzi Veselit në Kukës.

Rama deklaroi se për vrasjet askush nuk është ndëshkuar ende.

Gjithashtu Rama tha se ishte kusaria ajo që vrau katër demonstruesit në bulevard.

Në këtë kontekst Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama bëri me dije se “Partia Socialiste është e vetmja rrugë për të nxjerrë Shqipërinë nga korrupsioni, nga papunësia e varfëria, e vetmja rrugë për zhvillimin e vendit”.

“Do çlirojmë shqiptarët nga papunësia, do i rikthejmë demokracinë Shqipërisë”, tha Rama.

Që në krye të fjalës së tij lideri i opozitës u shpreh se e kishte të vështirë të gjente fjalët e duhura për këtë protestë kushtuar trevjetorit të tragjedisë së Gërdecit.

Ai deklaroi rishtas se nuk mund të ketë drejtësi për 26 viktimat e në një shtet ku qeveris Sali Berisha.

“Shqipëria nuk është as Tunizi, e as Libi”, tha Rama, duke akuzuar qeverinë se veproi si ajo e Gheddafit në Libi që shtiu mbi qytetarët e vet.

Rama bëri thirrje për të mbajtur një minutë heshtje për viktimat e Gërdecit.

Më pas protestuesit u shpërndanë të qetë.

mit/NOA

KOMENTE