Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Tre vjet nga tragjedia e Gërdecit
English

Tre vjet nga tragjedia e Gërdecit

Ngjarja tragjike e Gërdecit vijon të jetë akoma në qendër të diskutimeve publike dhe politike në Shqipëri mbi rrethanat e punës në fabrikë, për shkaqet dhe autorët e mundshëm të shpërthimeve

Tiranë, 15 Mars 2011 NOA/DW/ Arben Muka - Sot mbushen tre vite, kur nga një seri shpërthimesh të fuqishme në një fabrikë demontimi armësh dhe lëndësh luftarake, që ndodhej në Gërdec rreth 25 km larg Tiranës, humbën jetën 26 vetë dhe më shumë se 300 të tjerë mbetën të lënduar.

Pavarësisht interesit të jashtëzakonshëm mbi këtë dosje gjyqësore procesi, ku janë 29 të pandehur, është duke u zvarritur, duke u shndërruar në një maratonë seancash, që shtyhen duke kaluar të gjitha afatet kohore, që parashikon ligji.

Nuk plotësohet aspekti ligjor

Ish-Prokurori i Republikës Arben Rakipi e ka ndjekur me shumë interes procesin gjyqësor “Gërdeci”.

Ai shpreh dëshpërim që kjo dosje po pëson fatin e disa gjyqeve të tjera të bujshme në Shqipëri, të cilat janë zvarritur pambarim dhe ku, sipas tij, palët në proces nuk plotësojnë detyrimet që i jep ligji. Fenomenin e zvarritjeve duhet ta shikojmë në dy aspekte, thotë Rakipi për DW. “Aspekti i parë është ai ligjor. I cili nuk plotësohet nga gjykata dhe palët e tjera në proces, që janë prokurorët dhe avokatët. Të tre së bashku nuk arrijnë të aplikojnë detyrimin ligjor që të tilla procese të gjykohen në mënyrë të pandërprerë, që do të thotë çdo ditë. Në rast p.sh. se gjykimi nuk është e mundur të mbarojë brenda një seance, atëherë duhet të shtyhet për të nesërmen e kështu me radhë dhe jo të lihet për disa javë dhe më keq akoma për disa muaj”.

Rakipi: Gjyqtarët të merren me çështjet me interes për publikun

Ish Prokurori i Republikës thotë se çalon angazhimi total i gjyqtarëve dhe prokurorëve në të tilla procese. Sipas tij ata duhet të lënë mënjanë çdo dosje tjetër, që kanë në ngarkim, për t'u marrë vetëm me çështje, që kanë interes të jashtëzakonshëm tek publiku. “Aspekti i dytë është thjesht ndërgjegjësimi i pakët i tyre në raport me atë, që publiku percepton dhe pret prej gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve. Për rrjedhojë degradimi i procesit shkon në mënyrë të atillë, sa që vihet në dyshim dhe dhënia e drejtësisë në fund të tij”.

Sipas Arben Rakipit kodi i procedurës penale ka parashikuar gjithçka, që një gjykim i filluar të mbarojë shumë shpejt. Kështu nuk mund të digjen afatet e paraburgimit apo të procesit në tërësi.“ Thjesht gjithçka ngel tek ana organizative e punës dhe impenjimit konkret të gjyqtarëve, prokurorëve e avokatëve, që ata të përmbushin detyrimet, që parashikon ligji”.

Avokati Kujtim Puto ka punuar 12 vite si anëtar i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Ai mendon se ecuria e proceseve të tilla të rëndësishme është një tregues për nivelin e punës dhe të besueshmërisë së sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Për fat të keq ndjehet ndërhyrje e politikës dhe ekzekutivit në punën e gjyqësorit, thotë Kujtim Puto. “Pra një shmangie, ose mosrespektim të parimit të nenit 7 të Kushtetutës, në bazë të të cilit pushtetet janë të ndara, por dhe të balancuara me njëra - tjetrën. Në çështje, që kanë pasoja ose probleme, që lidhen me politikën dhe kur janë të interesuara partitë ose organet e ekzekutivit është e dukshme në Shqipëri që ka zvarritje”. Kujtim Puto shton se për zvarritjet, ose për vendimet e njëanshme nga gjykata mund të ketë reagime ose veprime për eliminimin a parandalimin e tyre. Ai shikon si mjaft të rëndësishëm p.sh., rolin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD. “Është e vërtetë që KLD nuk mund të ndërhyjë dhe s'mund të dalë në kundërshtim me një vendim të formës së prerë. Por pasi Gjykata e Lartë është shprehur në lidhje me shkeljet në lidhje me një vendim gjyqësor, atëherë KLD mund të reagojë edhe më tepër”.

Puto për përmirësimin e punës në Dhomën e Avokatisë

Puto shikon si një mekanizëm nxitës për evitimin e rasteve të zvarritjeve në proceset gjyqësore dhe vendimmarrjen e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. “Sipas ligjit ajo ka të drejtë të marrë masa, që çojnë deri në pezullimin e licencës ose heqjen e saj për avokatët. Në këtë drejtim unë mendoj se duhet të përmirësohet puna drejtuese në Dhomën Kombëtare të Avokatisë”.

Juristët shikojnë mjaft mangësi dhe në organizmin e brendshëm të punës në gjykata. I dukshëm është fakti se për gjyqtarët që kanë dosje të rëndësishme në proces caktohen dhe dosje të tjera rutinore që risin ngarkesën e punës dhe “përligjin” serinë e shtyrjeve dhe spostimeve të datave të seancave gjyqësore.

KOMENTE