English

Ekstradohen nga Gjermania trafikanti i drogës dhe vrasësi, në kërkim ndërkombëtar

Tiranë, 17 mars 2011, NOA- Ditën e sotme janë ekstraduar drejt vendit tonë nga Mynihu i Gjermanisë dy persona të akuzuar për vrasje dhe trafikim të lëndëve narkotike.

I pari i ekstraduar është Ledio Pogaçe, 35 vjeç, lindur në Fier, të cilin Gjykata e Fierit, e ka dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Armëmbajtjes pa leje”.

Pogaçe akuzohet se në vitin 2004 ka vrarë me armë zjarri, tip pistoletë, shtetasin Gëzim Tafa, në një lokal në qytetin e Fierit, pas një sherri të ndodhur ndërmjet tyre.

Ndërsa i ekstraduari i dytë quhet Ilia Bregu, 34 vjeç , lindur në Leskovik, Kolonjë, për të cilin Gjykata e Tiranës, ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”,

I ekstraduari Bregu akuzohet se në muajt Shkurt-Mars të vitit 2010, në bashkëpunim dhe me dy shtetas te tjerë ka mbajtur me qëllim tregtimi një sasi prej 2815 g lëndë narkotike e tipit heroinë.

Këto dy ekstradime u kryen si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden në Gjermani, ku gjatë vitit të kaluar u arrestuan dy të kërkuarit me qëllim ekstradimin e tyre drejt vendit tonë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mori në dorëzim Bregun dhe Pogaçen për të kryer procedurat e mëtejshme.

a.y/NOA

KOMENTE