English

“Kryengritja” fshatare e qytetarit

“Për Enver Rrobelin ishte paraparë roli i Haxhi Qamilit apo Panço Vilës! Që, përmes shkrimeve për varfërinë t’i mobilizoi varfanjakët e Haxhi Qamilit dhe mjeranat e Meksikos! Mbase Flaka Surroi do të duhej të paraqitej si Nënë e Kombit ! Dan Ilazi dhe kukullat e tjera njomëzake të shoqërisë civile do të komandoheshin nga komandanti suprem i mediave, Jeta Xharra!”

Nga Behxhet Sh. SHALA

“U drodh mali, polli miushi”: Në këtë kënetën informative që e kemi në Kosovë javën që iku u ngritën ca valë që e ndotën edhe më shumë këtë fushë të veprimtarisë shoqërore që ka për detyrë të krijojë opinion, përmes informimit objektiv. Ballinat e disa gazetave dolën me disa tituj siç ishin : PUÇ, KOMPLOT, GRUSHTSHTET dhe marrëzira të ngjashme! Nëse do t’u referoheshim vetëm titujve krijohej përshtypja se Kosovës i janë mësyrë forcat serbe nga të gjitha drejtimet dhe se kanë vendosur ta pushtojnë përsëri. Paramendova komandantin suprem të ushtrisë serbe, Boris Tadiçin duke qenë në krye të kësaj ushtrie në ndërkohë që forcave të riformuara të paramilitarëve serbë, në mungesë të arsyetuar të Legias dhe Arkanit tash u prinë Oliver Ivanoviç ! “ Deputetja “ e Kuvendit të Kosovës , Rada Trajkoviq organizonte një spital fushor afër Manastirit të Graçanicës , si zonë e mbrojtur! Shpejt e shpejt e bëra një plan për organizimin e një “ qëndrese “ heroike në mbrojtje të Kosovës, nga territori i Maqedonisë, sikur në vitin 1998! Vendosa që unë të bëhem komandant ndërsa Batoni ( Haxhiu ) të bëhet komisar politik! Ashtu ishte edhe në vitin 1998! Kuptova se fati ishte në anën time vetëm pasi i shfletova gazetat ditore. Këto kishin zbuluar se përpjekja për komplot ishte nga armiku i brendshëm, shoqëria civile. Ishte një plan në të cilin ishte përcaktuar roli i secilit që ky puç të jetë i suksesshëm.

Halil Matoshi, si kritikues i “ pushtetit “ vendor dhe përkrahës i atij ndërkombëtar do të luante rolin e Dantonit. Si gojëtar i shkëlqyer, me një fjalim do t’i drejtonte masat e rebeluara drejt institucioneve, për t’i pushtuar ato! Eventualisht, nëse rrugës do të takonte Hajredin Kuçin do të merrej me te pasi nuk e ka lënë të bëhet anëtar i Bordit të RTK-së! Arbana Xharra, si amazonë kosovare me shkrimet e saj do ta luante rolin e Zhan d’ Ark. Tani do të bëhej pjesë shumë aktive e këtij komploti!

Për Enver Rrobelin ishte paraparë roli i Haxhi Qamilit apo Panço Vilës! Që, përmes shkrimeve për varfërinë t’i mobilizoi varfanjakët e Haxhi Qamilit dhe mjeranat e Meksikos! Mbase Flaka Surroi do të duhej të paraqitej si Nënë e Kombit ! Dan Ilazi dhe kukullat e tjera njomëzake të shoqërisë civile do të komandoheshin nga komandanti suprem i mediave, Jeta Xharra! Ky ishte gjenerlshtabi i shoqërisë civile për rrëzimin e institucioneve kosovare. Nëse edhe kalimthi lexohet ky plan operativ për marrjen e pushtetit lehtë vërehet se më është bërë një padrejtësi e madhe sepse nuk jam përfshirë fare në përbërje të gjeneralshtabit. Madje, as KMDLNj nuk përmendet fare si implementuese e projektit për marrjen e pushtetit, përmes puçit! Me një fjalë, të përdorin si mish për top ama kur është në pyetje pushteti, të flakin fare! Definitivisht jam i pafat! Me të mësuar për këtë” konspiracion “të shoqërisë civile as pushteti nuk ndejti duarkryq. Kryeministri Hashim Thaçi, para se të shkoi në vizitë në Turqinë e Tatlisesit tha se pushteti nuk merret me dhunë por me vota! As topi nuk e luan këtë pohim! Unë, në fakt këtu nuk kam parë dhunë sepse këta që përmenden si bartës të dhunës eventuale nuk janë në gjendje ta largojnë as macen nga përsheshi.

Ose, më mirë të them se dua të korrigjohem se shumica e tyre janë në gjendje ta largojnë macen nga përsheshi, për ta hëngër vet përsheshin ( donacionat )! Presidenti i Dellit, Pushkarit, Fejtit, nga haremi i tij presidencial, i rrethuar me kurtizanet reale si dhe me kurtizanet politike dhe intelektuale doli në mbrojtje të postit të tij pasi që u thirrë në votat e fituara me shumë mund dhe me më shumë para! Si mashtrues i certifikuar që është tha se i ka fituar mbi 90 % të votave në Kuvend të Kosovës ndonëse fuqia e tij elektorale nuk e kalon 2 % -in! Duket se lënda që i ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese nuk ka lidhje me shkeljen e Kushtetutës por se Behgjet Pacolli ka shënuar gol nga pozita jashtë loje në derbin Real – Barcelona! Të këqinj jemi ne kosovarët!

Nga ky puç i improvizuar dhe projektuar dalin disa të vërteta. E para, se nuk kemi fare media apo edhe ato që janë u shërbejnë rrogtarçe pushtetit, vendorë dhe ndërkombëtar prandaj nuk i detyrohen asnjë morali. Sipas parimit, pushteti është i përjetshëm , mediet janë të përkohshme! E dyta ,se edhe ato medie që hiqen si të pavarura në të vërtetë janë shumë të varura! I shërbejnë një qendreje! Emri nuk është shumë i rëndësishëm, Klubi për Politikë të Jashtme, Kodra e Dragodanit, Haremi i Pacollit, Xhakuzi i Endrjusë, Gjykata Kushtetuese e Babës Fejt apo Qendra për Luftimin e Korrupsionit , Krimeve të Luftës dhe Krimit të Organizuar e Ksavier de Marnakut ! Por një gjë është e vërtetë; edhe shtypi i varur edhe ai i pavarur e bëjnë luftën brenda llojit dhe misioni i tyre nuk është informimi por diskreditimi dhe linçimi i personaliteteve të caktuara! Apo ta them në mënyrë më të butë, ato shndërrohen në vrasës të porositur! Ka shumë pak përjashtime në këtë mjedis të kontaminuar informativ. Është ekzagjeruar roli si dhe mundësitë e shoqërisë civile.

Po të kishim një shoqëri civile siç e kanë paraqitur disa media atëherë edhe pushteti do të ishte shumë më i kujdesshëm dhe nuk do të kishte fare nevojë për sajimin e gjeneralshtabeve dhe projekteve për rrëzimimin e institucioneve! Por pikërisht mungesa e një shoqërie civile të mirëfilltë prodhon këso situata ku qytetari Ilir Mirena nuk ndjehet i sigurt në qytetin ku jeton andaj heziton të dalë në qytet për të pirë kafen e mëngjesit dhe për të shkuar në selinë e partisë. Personalisht jam shumë i lumtur që nuk i ka ndodhur gjë e keqe sepse, sipas informatave që kanë qarkulluar, Ilir Mirena e ka pasur të caktuar fatin e Robespjerit! Nëse për asgjë tjetër,” kryengritja “ fshatare e shoqërisë civile ( qytetare ) është dashur të dështojë për t’i ruajtur” këta njerëz të mirë që janë në pushtet “ dhe sabitë e Kuvendit të Kosovës. Ndryshe kijameti do të ishte shumë afër! Disa shkrime që i kam lexuar në disa medie dhe disa komente të analistëve kujdestarë janë më të turpshme se shkrimet në Rilindjen e Beqir Hotit dhe të Jedinstvos së Zhivorad Igiqit! Ndërkombëtarët i kanë futur veshët në lesh dhe kësaj radhe nuk kanë dalë fare në mbrojtje të njësive paramilitare të tyre e që në fakt është një segment i madh i shoqërisë civile. Ndërkombëtarët janë radhitur në anën e pushtetit!

Hajrullah Krishti dhe darka e fundit : Pas “dekonspirimit të puçit të shoqërisë civile” menjëherë filluan diferencimet prandaj kërkohej Koka për t’i dërguar Sulltanit. Vlerësohej se koka e Vetonit është tepër e madhe dhe nuk e zë tepsia andaj duhej kërkuar një më të vogël. Në mes kokave të Yllit ( Hoxhës ) dhe asaj të Hajrullahut ( Çekut ) duket se ajo e Hajrullahut është më e përshtatshme. Sepse, as koka e Yllit nuk është fort e vogël, duhet pranuar! Në Darkën ( takimin ) e Fundit , Hajrullahun e tradhëtuan” puçistët” si dikur Krishtin tregëtarët! Ashtu siç kanë punuar me shifra dhe për shifra tregëtarët e Jerusalemit, në mënyrë edhe më të sofistikuar punojnë edhe “ puçistët “ e shoqërisë civile! Në emër të dëshmimit të pafajësisë, Ponti Pilati i lau duart pasi e gozhduan Krishtin.

Veton Surroi është treguar më i mençur se Ponti Pilati. Ai nuk priti deri sa t’i hiqet koka Hajrullah Çekut për t’i pastruar duart në emër të pafajësisë por u distancua nga ai para se t’i hiqet koka! Nuk është hera e parë që e bënë këtë ! Flitet se kur pjesëtarët e shoqërisë civile përballeshin me kërkesën e adresimit të përgjegjësisë te ndërkombëtarët ku duhej të përmendeshin emra konkret, lageshin ndër vete! Thuanin se nuk duam të prishem me ndërkombëtarët sepse kemi projekte nga ata! A mos ka ndonjë dallim këtu nga fjalori që e përdorin sot politikanët kosovarë?! Ata kanë frikë se i humbin projektet, këta kanë frikë se e humbin pushtetin! Ndërkaq, kanë shumë merak ta adresojnë përgjegjësinë sidomos te Hashim Thaçi dhe këtë e arsyetojnë me faktin se :” duan t’i mbrojnë interesat e tatimpaguesve kosovarë “! Në fakt duan t’i mbrojnë interesat personale! Asgjë tjetër!

Dy shpallje :

E para: Për shkak të udhëtimeve të shpeshta dhe detyrimeve të shumta kërkoj një banesë në Prishtinë. Mundësisht të jetë e mobiluar dhe afër vendit ku banon z/kryeministrja , znj. Edita Tahiri. E domosdoshme është linja telefonike 24 orëshe me Borkon në Beograd. Si dhe me Institutin Metereologjik të Kosovës, përkatësisht me z. Sylë Tahirsylaj. Kam rënë në depresion për shkak të kohës me shi në Londër andaj dua të qëndroj në Kosovë për shkak të kohës së mirë. Kurrsessi për shkaqe tjera siç flasin gojëkëqinjt, për kinse statusin special për serbët e veriut. Kjo është punë e mbaruar më herët. Ju siguroj. Për informata shtesë drejtohuni te Markoja ( Prelec ) nga ICG -ja. Llogaritë materiale i paguan i baronesha Ashton. Llogaritë politike i paguan populli i Kosovës. I juaji sinqerisht. Robert Kuper.

E dyta : Njoftohen të gjithë serbët që padrejtësisht akuzohen për vrasjen e 12.000 shqiptarëve të Kosovës të ndjehen të lirë dhe të relaksuar sepse ata për ne nuk janë fajtorë prandaj nuk e kemi dënuar asnjërin prej tyre, qoftë në pjesën që e adminstrojmë ne ( pjesën jugore ), qoftë në pjesën që administrohet nga Serbia ( pjesa ) veriore e Kosovës ! Do t’i arrestojmë dhe dënojmë kriminelët shqiptarë që në fakt janë përgjegjës për vrasjen e 12.000 shqiptarëve, oficerëve të ushtrisë çlirimtare serbe si dhe paramilitarëve të Sheshelit, Legias , Arkanit dhe të Putinit! Kemi filluar me Ramushin, tash e kemi Fatmirin, nesër Jakupin dhe Hashimin dhe për fund ata që mbesin pa u dënuar. Ju lutem të na besoni. Srdaçno vashi ( sinqerisht tuajt ) : Ksavier bu de Marnak , bos i EULEXit me ndihmësit : Dik Marti, Karla del Ponte dhe Vukqeviç.

NOA

KOMENTE