English

Dade-Fules: Probleme me infrastrukturën zgjedhore për 8 majin

Bruksel, 18 mars, NOA - Sekretarja Ndërkombëtare e PS, Arta Dade i ka shprehur Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule shqetësimet e opozitës shqiptare për situatën politike në vend dhe për administrimin e zgjedhjeve të 8 majit. Në takimin e Task Forcës së Partisë Socialiste Europiane për Ballkanin, të mbajtur dje në Bruksel, Dade ka ngritur një sërë shqetësimesh që lidhen me situatën në vend.

Deputetja e PS-së ka theksuar se ka probleme me infrastrukturën për zgjedhjet. Sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit të PS-së, gjatë fjalës së saj në këtë takimi, Dade shprehu “gatishmërinë e opozitës për dialog për zgjidhje e krizës politike. Duke u ndalur tek zgjedhjet lokale, Sekretarja Ndërkombëtare e PSSh-së theksoi problemet infrastrukturën zgjedhore si dhe mekanizmat për të garantuar zgjedhje të lira e demokratike”.

Në takimin e zhvilluar dje në Bruksel është diskutuar lidhur me zgjerimin e Ballkanit Perendimor.

Në seancën ku ishte i pranishëm Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, Dade ka shprehur shqetësimin për krizën e rëndë politike që vazhdon në vend pas refuzimit nga ana e maxhorancës të propozimit të Partisë Socialiste në Kuvend, i cili mbështetej në 12 pikat e opinionit të Komisionit Europian lidhur me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.

Nga ana tjetër Dade ka shprehur shqetësimin “lidhur me luftën e zbehtë kundër korrupsionit që kulmoi me publikimin e videoskandalit të ish-zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta, dhe aferat e fundit korruptive lidhur me tregtimin e naftës virgin, ku janë përfshirë biznesmenë pranë familjes në pushtet dhe strukturat shtetërore, si dhe abuzimin me privatizimin e trojeve të fshatrave turistikë”.

Sekretarja Ndërkombëtare e PSSh-së falenderoi Komisionerin Fule për deklaratat, nëpërmjet zëdhënëses së tij, në mbështetje të institucioneve të pavarura në Shqipëri, të cilat, sipas deputetes së PS-së, “janë sulmuar në mënyrë të paprecedentë nga maxhoranca, dhe në veçanti për mbështetjen ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin e pavarur të tragjedisë së gjatë demonstratës së 21 janarit ku Garda e Republikës vrau 4 qytetarë të pafajshëm, si dhe plagosi dhjetëra të tjerë, përfshirë dhe përfaqësues të medias”.

Nga ana e tij Komisioneri Füle rikonfirmoi politikën e BE-së për zgjerimin mbi bazën e progresit të secilit vend dhe kërkoi nga autoritetet shqiptare të garantojnë standardet për zgjedhje të lira dhe të krijojnë të gjitha rrugët e domosdoshme për bashkëpunim me opozitën lidhur me axhendën europiane.

a.k/NOA

KOMENTE