English

Thaçi-Haxhinasto: Bashkë, për të njohur Kosovën shtet

Kryeministri Hashim Thaçi priti ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto

Prishtinë, 18 mars 2011 NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, me të cilën ka biseduar për forcimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë, në funksion të rritjes së numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës.

Thaçi shprehu vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve kosovare për një politikë të jashtme proaktive, të koordinuar me miqtë e Kosovës, duke përmendur në mënyrë të veçantë rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe po luan Qeveria e Republikës së Shqipërisë në mbështetje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Korrespondenti i Agjencisë NOA raporton se kryeministri ka falënderuar ministrin Haxhinasto dhe Qeverinë Shqiptare për kontributin e madh që i kanë dhënë Republikës së Kosovës në procesin e njohjeve për shtetin e Kosovës dhe afirmimit të arritjeve të shtetit të ri në botë.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt.

Haxhinasto shprehu edhe njëherë gjithë gatishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë Shqiptare për thellimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve diplomatike me Qeverinë e Republikës së Kosovës, në funksion të shtimit të numrit të njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

KOMENTE