English

Zbardhet takimi Topi Lajçak: Faktorët politikë të përgatisin së bashku zgjedhjet

Tiranë, 22 mars 2011, NOA- (Update) Pak minuta më parë është zbardhur përmbajtja e takimit mes Presidentit Topi dhe të dërguarit të Bashkimit Europian Miroslav Lajçak.

Burime zyrtare nga Presidenca bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, se gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit u fokusuan në situatën politike të krijuar së fundmi në vendin tonë.

Më tej u nënvizua nevoja dhe rëndësia e gjetjes sa më të shpejtë të dialogut konstruktiv institucional mes forcave politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor në mënyrë që ato të jenë sa më demokratike, të drejta, korrekte, sipas standardeve dhe që rezultatet të pranohen nga të gjitha palët.

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Drejtori Ekzekutiv i Shërbimit të Jashtëm, Miroslav Lajçak u shpreh se zgjedhjet e 8 majit duhet të përgatiten dhe zhvillohen sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore duke nënvizuar domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore të lira, të drejta e demokratike.

Ai theksoi gjithashtu se respektimi i institucioneve të shtetit, i zgjedhjeve dhe pranimi i rezultateve është shprehje e demokracisë dhe e ekuilibrit, me një rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë aktuale dhe të ardhmen europiane të vendit dhe mbarë popullit shqiptar.

Nga ana e tij Presidenti Topi theksoi rëndësinë e madhe të zgjedhjeve jo vetëm për të ripërtërirë përfaqësuesit e organeve drejtuese të pushtetit vendor, por edhe për të treguar aftësinë dhe pjekurinë e partive politike dhe të votuesve shqiptarë në realizimin e zgjedhjeve të drejta dhe në përputhje me standardet e duhura demokratike.

a.y/NOA

KOMENTE