English

Dokumenti i Prokurorisë: Biseda në videon Prifti-Meta nuk është zbardhur

Ekskluzive – Ja dhe dokumenti që konfirmon se biseda në videon Prifti-Meta nuk është zbardhur

Tiranë, 23 mars, NOA - Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar një tjetër ekspert për të verifikuar videon e përgjuar nga ish-ministri Dritan Prifti me ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta. Agjencia e Lajmeve NOA ka arritur të sigurojë dokumentin e Prokurorisë në të cilin faktohet se ekspertimi i parë i videos e bënë të pamundur transkriptimin e bisedës mes dy politikanëve.

“Gjatë hetimit të kësaj çështje penale është kryer ekspertim teknik në lidhje me materialin audio-viziv të dorëzuar së bashku me laptopin nga shtetasi Dritan Prifti. Në këtë ekspertim teknik, nëpërmjet të tjerash, është kërkuar dhe pastrimi, (filtrimi) i materialit audio që përmban videoja e regjistruar, veprim i cili është kryer nga eksperti, duke e hedhur videon e pastruar në një DVD, por rezultonte se përsëri cilësia e dëgjimit nuk është në nivelin e duhur për të mundësuar një transkiptim të plotë dhe të saktë të këtij materiali. Në këto kushte del e nevojshme kryerja e një veprimi me specialist përkatës, me njohuri të posaçme në këtë fushë, si dhe përdorimi i sistemeve cilësore e profesionale të pastrimit, të cilat disponohen nga shërbimi i policisë shkencore të Policisë Britanike”, thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Për këtë qëllim prokuroria ka caktuar ekspertin anglez Adrian Phillips për të bërë ekspertizën e radhës së videos mes Metës dhe Priftit.

Në dokumentin e prokurorisë pranohet se deri tani nuk është arritur të bëhet zbardhja e bisedës, kjo për shkak të zhurmave në sfond dhe tik-takut të orës me të cilën është bërë regjistrimi. Sipas prokurorëve të çështjes kjo e bënë të pamundur verifikimin e akuzave.

Por pavarësish kësaj prokuroria ka ecur para me çështjen duke kërkuar deri heqjen e imunitetit për ish-zëvendëskryeministri.

Prokuroria ka kërkuar nga eksperti anglez kryerjen e “ekspertimit për pastrimin e materialit audioviziv të regjistruar, nga zhurmat në sfond si dhe nga tiktaku i orës, të cilat krijojnë vështirësi në lidhje me dëgjimin e qartë dhe të plotë të zërave të njerëzve bashkëbisedues që janë regjistruar në këtë video”.

***

Më herët sot, z. Meta u pyet mbi faktin se sot është komunikuar nga prokuroria një vendim për marrjen e një tjetër eksperti për videon. Ai komentoi:

“Kjo tregon dështimin e plotë të prokurorisë në këtë çështje, sepse u bënë gati tre muaj dhe unë kam pasur vullnetin për të bashkëpunuar që ditën e parë së bashku me avokatët e mi. Dihet se gjithçka ka qenë manipulim dhe montim dhe kjo është vërtetuar në një nga laboratorët më të avancuar të Europës. Dihet njëkohësisht se prokuroria ka gënjyer parlamentin me informacionet që ka çuar për këtë çështje në rastin e kërkesës për heqjen e imunitetit tim. Dhe natyrisht që të gjithë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë e dinë se për shkak të kryeprokurores Rama, prokuroria është përfshirë prej kohësh në një fushatë elektorale. Avokatët e mi do të merren me veprimet e paligjshme të prokurorisë. Kjo nuk është një çështje për mua”.

e.t/NOA

KOMENTE