English

Miqtë e Lulëzim Bashës

"Rama është padyshim në dilema: “Të vijojë të jetë ‘miku’ i Bashës, duke i lënë atij terren krejtësisht të lirë dhe të vazhdojë të ndjekë këmba-këmbës Saliun?” “Fajin e ka Saliu”, që Basha është në fushë, kjo dihet. Por a ka faj Saliu, që Rama ndjek Saliun dhe ka lënë pas vëmendjes Qytetin e Tiranës? Kjo e Ramës është një “miqësi” e vërtetë. Kujt ia merrte mendja që Basha të kishte të tillë miq? Mijëvjeçar i ri, çudira të reja!…"

Nga Artur Zheji

Sepse një fjalë e urtë popullore thotë, sidomos kur ngrihet sipari i një beteje apo para një udhëkryqi: “Mos na lëntë Zoti pa miq!” Vërtet është një kërshëri të dimë apo të mundohemi të dimë, në këtë fushatë që sapo ka filluar, në kornizën e një procesi analize, pra të dimë se kush janë miqtë e kandidatit të kryesimit të Bashkisë së Tiranës. Nga një refleksion sintezë edhe nga refleksionet e të tjerëve, shpesh të sipërfaqshme, duket sikur miku më madh i Bashës është Berisha. Ai e futi në politikë, ai e mbështeti, ai dhe gjithmonë ai… Basha nga ana e vet, në këto 6 vite, i përgjigjet nga ana e tij me angazhim politik të plotë, me luajalitet dhe me rezultate.

Lind pyetja, përse Berisha i ngarkoi Bashës, figurës më të re, të shfaqur në fillimvitin 2005, përgjegjësitë më delikate të Programit Qeverisës? Si një mik i përzgjedhur, apo sepse kishte besim te rezultati që nuk do të mënonte të shfaqej? Klasikisht, miku për mikun nënkupton favore dhe lehtësira, komoditet dhe rehati. Ndërsa Berisha i dha Bashës në krye të herës disa detyra të vështira dhe delikate, që ose bëhen shumë mirë, sepse janë përpara syve të të gjithëve, ose, në rast dështimi, i cili është gjithmonë i pranishëm në një sipërmarrje, të marrin në qafë karrierën një herë e përgjithmonë. Është kjo miqësi?

Edhe po, sepse i dha çelësat e shanseve të detyrave të posaçme; edhe jo, sepse Berisha dhe Partia Demokratike nxori dukshëm përfitimet e veta politike nga realizimi i mirë i sipërmarrjeve të ngarkuara. Është pra, për mendimin tim, më shumë një partneritet miqësor, një akt besimi i shpërblyer, por kurrsesi jo më tepër. Basha në raport me Berishën ngjan më tepër me një teknicien të mirë, që mbledh rreth vetes edhe xhelozi të shumta, sepse i ngarkohen detyrat më të vështira, shpesh ca bomba me sahat, që po plasën të marrin më qafë. Dhe Basha i kryen, e pastaj buzëqesh, si i zënë me faj, që ia hodhi me sukses dhe kësaj radhe.

Në këtë kontekst, unë nuk di se çfarë përgjigje t’i jap pyetjes nëse është apo jo Berisha miku i Bashës. Një kalë race të cilin mjafton ta futësh në pistë dhe ai fiton garat dhe sfidat, e duan të gjithë, e duan sepse ai fiton.

Përsëri në të njëjtin kontekst, mund të shtoj se edhe në këtë kandidim të Lulëzim Bashës, për Tiranën, kundër Ramës-kampion fitoresh në Tiranë, nuk më duket se ka hatër apo miqësi, porse vetëm futjen në pistën e garës më të vështirë, ku të gjithë përpara tij kanë humbur.

Në mënyrë paradoksale, miqësinë më të madhe Basha po e gjen te kundërshtari i tij politik, Rama. Kryetari i Partisë Socialiste, me platformën elektorale të shpallur që me 21 Janarin e kaluar, po i del krah Lulëzim Bashës, i cili, nga ana tjetër, me sa duket, ka kuptuar se muzika e konfliktit dhe grindjeve i ka lodhur shqiptarët dhe sidomos tiranasit. Ai natyrshëm dhe brenda fizionomisë së vet karakteriale parashtroi pak ditë më parë një tjetër sfidë, ulje tonesh dhe shpalosje idesh e programesh për Qytetin.

Rama, në podiumet politike, me gjakftohtësinë e Kampionit të tre mandateve, duket se është maskuar apo “fshehur” mbas sfidës së politikës së tij kombëtare me moton aspak prekëse dhe që pak lidhje ka me Qytetin dhe qytetet: “Fajin e ka Saliu!”.

Ndërkohë Basha, shtatgjatë edhe ai, ka filluar rrugëtimin e tij nëpër qytetet, me moton e thjeshtë por funksionale, se do të bëjë: “gjithçka për qytetarin dhe Qytetin”.

“Rama nuk është armiku im”, deklaroi ai përpara ca ditësh, “çmimi i bukës, papunësia, ajri i rëndë dhe që duhet ndërruar në Tiranë, gjelbërimi i munguar, po!”

“Fajin e ka Saliu!” shfryn sallave me socialistë kryetari i Partisë Socialiste; “duhet shkulur e keqja me rrënjë, duhet rrëzuar Saliu!” buçasin sallat socialiste.

Regjia politike e Ramës, mjaft mjeshtërore në raste të caktuara, duket se ka hyrë në mjegull. 21 Janari, i egër dhe i përgjakur, e shtyn atë përpara, drejt radikalizimit të betejës politike totale dhe pushtetmarrëse; nga ana tjetër, kërkesat për fushatë konkrete hallesh qytetare bëhen gjithmonë e më të mëdha. Mundësi që Basha, modest dhe këmbëngulës, ka filluar ta respektojë. Partia Demokratike duket e kënaqur dhe e qetë, janë mësuar që Basha t’i përmbushë angazhimet dhe t’u sjellë nga një trofe të rëndësishëm vit mbas viti.

Rama është padyshim në dilema: “Të vijojë të jetë ‘miku’ i Bashës, duke i lënë atij terren krejtësisht të lirë dhe të vazhdojë të ndjekë këmba-këmbës Saliun?” “Fajin e ka Saliu”, që Basha është në fushë, kjo dihet. Por a ka faj Saliu, që Rama ndjek Saliun dhe ka lënë pas vëmendjes Qytetin e Tiranës?

Kjo e Ramës është një “miqësi” e vërtetë. Kujt ia merrte mendja që Basha të kishte të tillë miq? Mijëvjeçar i ri, çudira të reja!…

“Gazeta Mapo”

KOMENTE