English

Njolla nafte në Liqenin e Ohrit

E mërkurë, 30 mars 2011, NOA- Njolla të naftës janë paraqitur dhe janë vërejtur në sipërfaqen e ujërave të Liqenit të Ohrit, në afërsi të portit të Ohrit.

Supozohet se nafta është derdhur nga ndonjëra nga anijet e ankoruara në portin e Ohrit, por konfirmim zyrtar akoma nuk ka.

Zyrtarët e Entit për mbrojtje shëndetësore nga Ohri, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë mostrat e ujit të ndotur të liqenit.

Rezultatet e analizave të këtyre mostrave do të dihen ditën e premte, pasi nevojitet një procedurë e hollësishme e analizave-pohojnë nga Enti për mbrojtje shëndetësore.

Nga ana e inspektorëve për mbrojtje të ambientit është bërë kontrolli i duhur ndaj të gjitha objekteve lundruese-anijeve.

Është kjo një katastrofë e Ohrit dhe Liqenit të Ohrit, kanë pohuar qytetarët e shqetësuar, duke shtuar se nëse vazhdon kjo pakujdesi, Ohrit mund ti merret titulli Qytet i UNESCO-s.

Ky margaritar duhet të ruhet e të mbrohet edhe për veten tonë, e kur kihet parasysh se pjesa dërmuese jetojmë nga turizmi, shtrohet pyetja se si do të tërheqim turistë me ndotje të këtilla të ujit tepër të pastër të Liqenit të Ohrit, që është perlë e rrallë në mbarë botën.

Qytetarët reagojnë dhe kërkojnë nga organet që të zbulohet kryesi i veprës dhe të nxirret para organeve të drejtësisë, që të shërbejë shembull për të gjithë ata që nuk do të kujdesen për ruajtjen e ambientit dhe Liqenit të Ohrit, sepse me veprime të këtilla do të na largojnë edhe ata pak mysafir që na vizitojnë.

(INA)/NOA

KOMENTE