English

Dyzet ditët e sundimit të pakicës

"Në Kosovë, me një sundim pakice, po instalohet pabarazia e mundësisë, d.m.th. e pamundësisë që shumica të artikulojë e mbrojë interesin e vet. Dhe, çfarëdo broçkulle ideologjike që mund të shkruhet në mbrojtje të këtij sundimi, nuk mund t’ia ndryshojë karakterin e tij bazik, jodemokratik"...

Nga Veton Surroi

1.

Sundimi pakicë në Kosovë nuk do të thotë sundim i pakicave etnike. Zgjidhja kushtetuese për to (ç’prej Kornizës Kushtetuese të UNMIK-ut deri në Kushtetutën e Kosovës) është që minoritetet etnike detyrimisht do të jenë në qeverisje e Qeveri. Minoritetet etnike, me vendet e rezervuara në Parlament – një diskriminim pozitiv në mënyrë që të përfaqësohen përkundër përpjesëtimit tejet të ulët demografik- i kanë të rezervuara vendet edhe në Qeveri. Në momentin e sajimit të Qeverisë, kushdo që ta udhëheqë koalicionin, aty do të jenë minoritetet, pothuajse detyrimisht. Kështu, minoritetet do liruar në masë të madhe prej përgjegjësisë për karakterin e pushtetit – pushteti në Kosovë vepron në një formë apo tjetrën jo për shkak të minoriteteve (ndonëse ato me numrat e veta ndihmojnë ndërtimin e koalicionit qeverisës), por për shkak se ashtu ka vendosur partia që udhëheq koalicionin.

Të akuzosh partitë turke, boshnjake, serbe e rome për sundim të pakicës është nonsens. Sundimi i pakicës në Kosovë ka të bëjë me shqiptarët; në rastin e fundit, ishte përzgjedhja e kryeministrit të tanishëm që të ketë më shumë vota shqiptare të përfaqësuara jashtë Qeverisë sesa brenda Qeverisë.

2.

Një këso gjendjeje, e konstatimit se vendimet për Kosovën po merren nga një pakicë shqiptare, solli një rrebesh fjalësh në një shkrim-Përkrahje për Qeverinë e tanishme. Në atë shkrim-Përkrahje, vendimet e sundimit të pakicës (shqiptare) mbulohen me vellon e multietnicitetit dhe e ngritjes së kësaj çështjeje në nivel ideologjie. Sipas këtij shkrimi-Përkrahje, çdokush që kritikon Qeverinë (dhe sundimin e pakicës) po i afrohet ideologjisë së Milosheviqit, i vlerëson më shumë votat e shqiptarëve sesa të pakicave, po shkakton neveri dhe mundësinë e humbjes së përkrahjes në Perëndim.

Një grumbull i tillë fjalësh u afrohen më shumë broçkullave sesa ndërtimit të ndonjë argumenti racional për të qenë. Broçkulla, sepse të barazosh mbrojtjen e interesave të shumicës në Kosovë me Milosheviqin është ta barazosh po ashtu parimin e sundimit të shumicës në Amerikë me ish-diktatorin serb. Për më tepër, Kosova ka dhënë një provim të madh në procesin e sajimit të Kushtetutës së vet, konsultimit me minoritetet dhe ndërtimit të një standardi të drejtash që është ndër më të lartit në Evropë – çfarëdo futjeje e përsëritur e këtij debati do të ishte e kotë. Por ia vlen të merret, sepse është Përkrahja e vetme për Qeverinë.

Dhe, vetëm pse është Përkrahja e vetme për Qeverinë, ia vlen të përsëritet se kritika ndaj sundimit të pakicës nuk ka të bëjë me pakicën etnike, por me pakicën shqiptare.

Çka është ajo që e determinon sundimin e pakicës shqiptare? Prapë, jo minoritetet etnike. Po të lihet anash në tërësi dimensioni etnik, sundimi i pakicës në Kosovë është i ndërtuar mbi një bazament të fortë veprimi jodemokratik. T’i numëroj disa:

- Kosova është vendi i vetëm ku një parti politike ka pasur (mbase ende e ka) shërbimin e vet sekret (sot ekziston akuza se ky shërbim, pos mbledhjes së informatave, ka vrarë kundërshtarë politikë, shqiptarë e serbë).

- Kjo parti politike është financuar, dhe ende financohet, me rrugë jotransparente. Njëra prej pistave që mund të ndihmojnë qytetarët të marrin vesh sesi financohet partia (dhe Shërbimi sekret) është të pyeten se pse e paguajnë litrin e dieselit më shtrenjtë se qytetarët e Maqedonisë. Dieseli vjen nga e njëjta rafineri, por në Maqedoni shpërndahet në pompat e benzinës, në Kosovë në pompat e Partisë.

- Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kjo parti nuk arriti të fshehë ambicien industriale të vjedhjes së votave – edhe pasi që u zu duke vjedhur, vazhdoi me veprimet e veta në zgjedhjet e përsëritura.

3.

Me legjitimitetin e kontestuar dhe të kontestueshëm të zgjedhjeve në Kosovë, dhe me ballafaqim sfidash, prej atyre të buxhetit, sigurimit të mjeteve për autorrugë e deri te negociatat me Serbinë, vendi ka pasur dy zgjidhje. E para, do të ishte konsensusi: çfarëdo qeverie që të kishte Kosova, do të duhej të ekzistonte një konsensus lidhur me çështjen e bisedimeve me Serbinë, shitjen e aseteve kombëtare dhe zgjedhjen e presidentit. Këto nuk mund të ishin çështje të matematikës parlamentare, të shumicës së thjeshtë të votave.

U zgjodh rruga e dytë, ajo e matematikës parlamentare që mbërrin të krijojë shumicën e thjeshtë të votave, por nuk krijon legjitimitet të qeverisjes e as konsensus.

Matematika e shumicës së thjeshtë parlamentare u përcoll me shkelje procedurash, prej zgjedhjes së presidentit e deri te projektbuxheti i Kosovës. Shkeljet e procedurës janë në fakt shkelje e demokracisë, sepse siç do të kemi marrë vesh deri tani, demokracia është në fakt një grumbull procedurash që mbron Lirinë.

Dhe, kështu kemi veprimin e dyfishtë të sundimit të pakicës. Ajo shpërfill haptazi procedurën, ligjet e Kushtetutën dhe këtë e bën për të marrë vendime që janë në kundërshtim me vullnetin e shumicës.

Shkrimi-Përkrahës, në vend se të neveritej me një skenë të këtillë, ku një grup njerëzish, me legjitimitet të kontestuar demokratik e me histori konsistence veprimesh të jashtëligjshme vendosin vullnetin e vet si pushtet, shprehet se “jemi të shqetësuar që sulmet e fundit mbi Qeverinë kanë përfshirë kritikat që nënkuptojnë se ajo është e jashtëligjshme, sepse ajo gëzon përkrahjen e pakicave në Kuvend dhe për shkak se shumica e deputetëve shqiptarë nuk kanë votuar për të.”

Dhe, kështu, në formë të pavetëdijshme, Shkrimi-Përkrahës po i shndërron minoritetet etnike në pengje të gjalla që do të duhej ta mbronin Kullën e Qeverisë: nuk lejuaka kritika ndaj kësaj Qeverie e qeverisjeje, sepse ajo është multietnike, gjegjësisht sepse e paskësh përkrahjen e pakicave.

Ky, është, natyrisht, nonsens. Siç e përmenda më herët, kjo punë ka të bëjë me përfaqësuesit e shqiptarëve, atyre që janë në pakicë prej legjitimiteti të demokracisë.

Dhe një efekt tjetër paradoksal i Shkrimit-Përkrahës: nuk qenka i jashtëligjshëm sundimi i pakicës, i cili thyen procedura e ligje – të jashtëligjshme janë pikëpamjet e kritikës ndaj sundimit të pakicës që “janë të kufizuara brenda një grupi të vogël që kërkon të përdorë çdo mjet, pa marrë parasysh se a është i ligjshëm apo jo, në përpjekjet për të siguruar përparësi politike”

4.

Para gati dyqind vjetësh, në librin e tij tashmë klasik “Për demokracinë në Amerikë” bujari francez de Tocqueville, formuloi që në hyrje bazën e të kuptuarit e tij të një sistemi me të cilin fascinohej, të demokracisë funksionale liberale. Baza ishte “barazia e mundësive”, një sërë rregullash që ia mundësonin çdo individi që ashtu siç do të shpreheshin baballarët e Kushtetutës amerikane, të “ndjekë lumturinë”.

Në Kosovë, me një sundim pakice, po instalohet pabarazia e mundësisë, d.m.th. e pamundësisë që shumica të artikulojë e mbrojë interesin e vet. Dhe, çfarëdo broçkulle ideologjike që mund të shkruhet në mbrojtje të këtij sundimi, nuk mund t’ia ndryshojë karakterin e tij bazik, jodemokratik.

NOA

KOMENTE