English

Lëvizja Zgjohu: PS u bind, ne e kemi fajin për problemet e Tiranës

Tiranë, 31 mars 2011, NOA- Lëvizja Zgjohu ditën e sotme në një aktivitet të mbajtur para Bashkisë së Tiranës deklaroi se për gjithë problemet e kryeqytetit që nga rrugët e prishura e deri tek lejet e ndërtimit, fajtore është vetë kjo lëvizje.

Lëvizja Zgjohu shprehet se fajin për rrugët e prishura, për mungesën e trotuareve, për ajrin e ndotur, për mungesën e gjelbërimit, për mungesën e këndeve të lojërave, për mungesën e tokës në varreza, për mungesën e banjave publike, për kushtet skandaloze apo dhe vetë mungesën e koshave të plehrave, për ndotjen e lumit të Tiranës, për tavanet që bien në shkolla, për shpërdorimin e fondeve publike dhe monopolet me lejet e ndërtimit dhe firmat e projektimit, për taksat e dubluara, për korrupsionin e Policisë Bashkiake, për tregjet skandaloze, dhe për dhjetra e dhjetra halle që po mbytin këtë qytet, fajin e ka Lëvizja Zgjohu.

Në këtë aktivitet u theksua se gjithë fushata ndërgjegjësuese për ti kërkuar Kryetarit te Bashkisë që të merret me punët e Bashkisë dhe jo Partisë, arriti ta bindë Partinë Socialiste se fajin e paska Lëvizja Zgjohu.

Lëvizja Zgjohu ka sqaruar qytetarët pas akuzave në një të përditshme shqiptare, se nuk financohet nga institucionet shtetërore dhe nga disa organizata pasi për këtë janë shpikur fjalë, janë montuar emra organizatash megjithëse në korrektesë te plotë nga ana e personave të caktuar janë dhënë informacione të sakta dhe korrekte.

Më tej është sqaruar se, Lëvizja Zgjohu mbështetet me konsulencë apo asistencë teknike dhe marrëdhënie publike edhe nga organizata të tjera të shoqërisë civile por Shoqata Rinore për Integrim dhe Zhvillim është shoqata që ka mbledhur fondet nga publiku, ashtu siç parashikohet edhe në legjislacionin shqiptar.

Kryetari i kësaj lëvizjeje Zirkon Disha është shprehur se, “Ky montazh i shëmtuar për të shpikur emra institucionesh shtetërore si financues të Lëvizjes Zgjohu ka vetëm një qëllim: Të fajësojë lëvizjen qytetare Zgjohu për hallet që kanë zënë Tiranën”.

a.y/NOA

KOMENTE