English

Rama çel fushatën: Votoni Vangjush Dakon, e vetmja rrugë për Durrësin

Durrës, 2 prill 2011, NOA – Lidershipi i opozitës Edi Rama në çelje të fushatës së opozitës për zgjedhjet elektorale të 8 majit kërkoi sot votën e socialistëve dhe demokratëve të qytetit të Durrësit për kandidatin e opozitës Vangjush Dako, të cilin Rama e cilësoi si rrugën e vetme për zhvillimin e pandalshëm të Durrësit. Shefi i socialistëve i bëri thirrje qytetarëve të Durrësit të mos votojnë kandidatin e mazhorancës duke theksuar se qeveria e Sali Berishës nuk jep më asgjë, por vetëm merr dhe vjedh qytetarët e saj, por të votojnë Dakon, që kandidon për mandatin e dytë në Durrës.

“E vetmja rrugë për Durrësin është Vangjush Dako, ‘Aleanca për të Ardhmen’. Nuk është as miqësia e krijuar në këto vite dhe as thjesht fakti që është i yni, që më shtyn sot t’u kërkoj socialistëve dhe demokratëve t’i japin votën”, deklaroi Rama nga Durrësi.

Gjatë fjalës së tij Kryetari i PS-së tha se “Në këtë qytet im gjysh ndërtoi familjen e ngriti jetën, këtu lindi im atë e më përçoi dashurinë për Durrësin. Më shumë se një mik e bashkëpunëtor i mirë, Vangjush Dako është sot kryetari i provuar i Bashkisë së Durrësit. E meriton votën e durrsakëve, për ato që ka bërë e do bëjë për njerëzit pa asnjë dallim.

Kryesocialisti u bëri thirrje mbështetësve të kandidatit Dako që të shpërndahen lagje më lagje, derë më derë që t’i japin kësaj opozite fuqinë.

“Jepini votën Vangjush Dakos. Na duhet mbështetja e të gjithëve që ne të mundim koalicionin e Saliut”, tha Rama.

Duke nisur nga Durrësi, fushatën zgjedhore për zgjedhjet vendore, qyteti i dytë kryesor pas Tiranës, kryesocialisti Rama deklaroi se "Projekti i Vangjush Dakos për katër vitet e ardhshme është alternativë e qëndrueshme, alternativë e qartë për qytetarët e Durrësit".

“Për Vangjushin qytetarët e Durrësit kanë qenë të parët gjithnjë, pasi kjo është kultura jonë politike”, tha Rama.

Duke iu referuar sloganit të demokratëve “Ju jeni të parët”, Rama theksoi se “Saliu dhe të tijët janë shumë të vonuar në tentativën e tyre për të vënë të parët qytetarët, pasi sikundër tha ai, "Saliu dhe Rosinanti i tij në Durrës, Ferdinand Xhaferraj janë krejt e kundërta”.

Lideri i opozitës i bëri apel qytetarëve që të votojnë në 8 maj për të vetmen rrugë që i nxjerr qytetarët nga kriza ku i ka futur Saliu, e cila është sikundër tha ai, opozita.

Kryesocialisti Rama e akuzoi qeverinë se po mban peng të ardhmen e shqiptarëve, të atyre që lindin.

Ai theksoi se “nga zgjedhjet e 8 Majit duhet të tërhiqen të gjithë ata që duan të vjedhin, për t’i lënë rrugën zgjedhjeve të lira”.

Sipas tij vota për opozitën është e vetmja rrugë për të qenë të lirë e për t’u çliruar nga korrupsioni.

mit/NOA

KOMENTE