English

Rama: Dede Reshat Bardhi, humbëm një njeri të madh

Tiranë, 2 prill 2011, NOA- Kreu i Partisë Socialiste ka reaguar mesditën e sotme lidhur me ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Në një mesazh të dhënë lidhur me këtë humbje të rëndë kreu i selisë rozë është shprehur se, “Ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhit e ka përcjellë me hidhërim të thellë sot jo vetëm komuniteti Bektashi, por edhe mbarë populli shqiptar. Është kjo një humbje tragjike e një njeriu me vlera e kontribute të jashtëzakonshme për rimëkëmbjen e fesë dhe për promovimin e vendosur të tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar në Shqipëri”.

Sipas Ramës, Baba Reshati ishte një nga ata shqiptarë që nuk lejuan që vuajtjet dhe shtypja e regjimit të kaluar t’ia zbehte besimin tek Zoti dhe dashurinë për atdheun, ishte një nga ata njerëz që vuajtja dhe shtypja e atij regjimi nuk ia zbehën tolerancën dhe përkushtimin ndaj njerëzve.

Kryesocialisti shprehu më tej, përulje përpara këtij njeriu të madh që ia dedikoi të gjithë fuqitë e tija promovimit të idealeve shpirtërore dhe të harmonisë fetare ndër shqiptarët.

Mesazhi i tij përmbyllet me fjalët: “Edi Rama dhe Partia Socialiste, shprehin Kryegjyshatës Botërore dhe familjarëve të këtij Njeriu të madh, si dhe bektashinjve ngushëllimet më të sinqerta në këtë ditë të ndarjes nga jeta me udhëheqësin e tyre shpirtëror”.

a.y/NOA

KOMENTE