English

Arvizu: Haxhi Dede Reshat Bardhi njeri i jashtëzakonshëm i spiritualitetit

Tiranë, 3 prill 2011, NOA – “Do të na mungojë thellë ‘Baba’, por e dimë që trashëgimia e tij do të jetojë gjatë në të ardhmen. Kështu u shpreh ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu në mesazhin e tij të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të Haxhi Dede Reshat Bardhit.

Duke ngushëlluar Kryegjyshatën botërore dhe besimtarët bektashinj, ambasadori Arvizu shkruan në mesazhin e tij se e mësoi me trishtim të thellë lajmin për vdekjen e Kryegjyshit botëror të Bektashinjve.

“Në emër të Qeverisë së SHBA-ve dhe të popullit amerikan, dëshiroj t'u ofroj ngushëllimet e mia të sinqerta të afërmve të tij si dhe të gjithë pasuesve të përkushtuar të bashkësisë bektashiane kudo në botë”, thuhet në mesazhin e Arvizut.

Ambasadori amerikan shprehet më tej se “Haxhi Dede Reshat Bardhi ishte një njeri i jashtëzakonshëm i spiritualitetit, dhembshurisë, dhe integritetit dhe është një shembull i

jashtëzakonshëm për të gjithë njerëzit pavarësisht nga besimi i tyre”.

Zoti Arvizu nënvizon se “Kontributet e Kryegjyshit botëror për bektashizmin, për harmoninë ndërfetare, dhe lirinë e fesë janë të thella dhe udhëheqësia prej tij e bashkësisë bektashiane ka qenë ndihmesë që Shqipëria e sotme të jetë model në botë për lirinë fetare”.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi ndërroi jetë dje në moshën 76-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

mit/NOA

KOMENTE